Elisabeta Dosku
Sektori i bujqësisë ka pabarazi gjinore të theksuara sa i takon ndarjes së detyrave bujqësore brenda familjes. Meshkujt dominojnë kryesisht anën financiare siç është blerja e inputeve dhe shitja e produkteve, ndërsa gratë luajnë një rol më thelbësor në fushë.
Referuar raportit të publikuar së fundmi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) dhe Qeveria Zvicerane, mbi rolin e grave në sigurimin e cilësisë së produkteve bujqësore, fokusuar në sektorin e bimëve mjekësore, del në pah se për të vendosur se cila kulturë duhet të mbillet, në 64.4% të rasteve kjo përgjegjësi atribuohet tek burrat dhe për të vendosur se kujt duhet t’i shiten produktet, sërish në 65.2% rezulton si përgjegjësi e burrave. Një përqindje më e vogël beson në ndarjen e barabartë të vendimeve midis grave dhe burrave.
Po kështu, ndonëse ky sektor punëson mbi 60 mijë gra, administrimi i financave të fermës/shtëpisë i atribuohet në masë dërrmuese meshkujve. 63.2% e të anketuarve i perceptojnë ata si përgjegjës kryesor, ndërsa vetëm 26.4% ia atribuojnë këtë rol grave.
Një pakicë besojnë në ndarjen e barabartë të kësaj përgjegjësie (10.4%), duke nënvizuar normat tradicionale gjinore në menaxhimin e financave brenda ekonomive shtëpiake bujqësore.
Në kontrast të plotë, në lidhje me punët ditore, sondazhi zbulon një boshllëk të rëndësishëm perceptimi, me 76.9% e të anketuarve që ia atribuojnë këtë përgjegjësi kryesisht grave brenda familjes.
Sipas raportit, përfshirja e konsiderueshme e grave të punësuara në aktivitetet në terren dhe kontributet e tyre në post- përpunimin e të korrave nxjerr në pah rolin e tyre vendimtar në sigurimi i cilësisë.
Gjetjet theksojnë nevojën për të adresojnë pabarazitë gjinore në shpërndarjen e punës dhe të njihet roli kritik i grave në përmirësimin e cilësisë së produktit dhe konkurrencën në eksport.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) sugjeron se qasja në të gjitha proceset e prodhimit është thelbësore për progresin e grave në vetëpunësim veçanërisht sa i takon cilësisë së produkteve. Ndërsa rekomandohet më shumë akses në trajnime dhe financim.