Vijon prej orës 10:00 seanca plenare ku diskutohet pr/buxhetit i vititt 2025 për tu miratuar më pas nen për nen dhe në tërësi. Pr/buxheti për vitin e ardhshëm është parashikuar në vlerën prej 8.2 mld euro.
E ndërsa diskutohet nen për nen pr/buxheti diskutohen dhe amendamentet e propozuara nga opozita. Janë 55 amendamente në total të propozuara nga deputetët e opozitës, të PD dhe Partisë së Lirisë, dhe Alibeajt. Deri tani të gjitha po rrëzohen pasi konsiderohen nga maxhoranca socialiste si të panevojshme por dhe si provokim politik. Nga ana e tij Ministri i Financave Petrit Malaj tha se këto amendamente do ta kthenin atë në një ‘buxhet piramidal’
Amendamentet e para që socialistët rrëzuan me votë ishin ato të propozuara nga Sali Berisha i cili u rikthye sot në Kuved pas 11 muajsh në ‘arrest shtëpie’ në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, për të cilin SPAK e akuzon ish kryeministrin për korrupsion.
Kartonët e kuq të socialistëve u ngritën edhe për 11 amendamentet e PL-së dhe të opozitës. Me 77 vota u rrëzuan 2 amendamentet e propozuara nga PD për të pezulluar të gjitha prokurimet për investime publike dhe shpenzimet luksi deri në momentin për caktimin e minimumit jetik, për të cilën deputeti i PD-së Flamur Noka propozoi 200 euro. U rrëzua edhe amendamenti i PD-së për rimbursimin e parukeve dhe protezave të gjirit.
Pikat më kulminante ka qenë përplasja e deputetëve të PD-së, Ina Zhupa me Edmond Spahon me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe përplasja e deputetit Bledion Nallbati me ministrin Petrit Malaj.
Kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në seancë parlamentare, pasi ndodhet në Bruksel në pritjen e organizuar nga Presidenti i ri i Këshillit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor. Në seancë është vëne re dhe mungesa e Lulzim Bashës, kreut të demokratëve euroatlantikë. Ndërsa ish kryeministri Berisha u largua nga seanca pasi mbajti fjalën për amendamentet e tij dhe u rrëzuan me votë.