Kuvendi u mblodh në seancë plenare dhe miratoi në parim Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”
Projektbuxheti i vitit 2025 u prezantua nga Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, i cili në nisje të fjalës së tij tha se buxheti i ri që do diskutohet në vazhdim është pasqyra e një dekade arritjesh domethënëse për Shqipërinë.
Kryeministri u shpreh se fondi në dispozicion të shtetit për shërbimet e përgjithshme publike është 8.2 miliardë euro për vitin e ardhshëm 2025, dhe mbështet zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si dhe reformat e nevojshme për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Rama, njoftoi se 100 milionë euro do të ndahen për bonusin e fundvitit që do të përfitohet nga 511 mijë persona, e më pas zbuloi me detaje planin për shpërblimin që do të marrin pensionistët këtë fundvit, më të lartin e dhënë ndonjëherë, që e cilësoi rezultat i rritjes ekonomike të vendit.
Sa i përket bujqësisë, z. Rama deklaroi se përmes fondeve të qeverisë janë mbështetur mbi 500 projekte në bujqësi, kryesisht në agroturizëm, linja përpunimi dhe pika grumbullimi.
Në fjalën e tij, gjatë seancës plenare, Kryeministri tha se fondet për mbështetjen e sektorit të bujqësisë janë 5-fishuar.
Më tej, kryeministri tha se buxheti për bebet e porsalindura vitin e ardhshëm do të jetë 22 milionë euro.
Po ashtu, Kryeministri vuri në dukje se, buxheti i vitit të ardhshëm financon bujqësinë, shtresat në nevojë, garanton investime dhe gjithashtu ul borxhin publik.
Gjatë punimeve plenare, mbajti fjalën edhe Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, e cila u shpreh se duke miratuar buxhetin e vitit 2025 nuk miratojmë thjesht një ligj ekonomik e financiar, por një dokument me rëndësi thelbësore, i cili udhëhiqet nga vizioni për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë për të gjithë, një shoqëri ku të gjithë të kenë akses të barabartë në burimet e shoqërisë, siç kanë gjithashtu edhe detyrime të njëjta para saj.
“Po miratojmë pra, një dokument që ka, jo vetëm shifra dhe statistika, por edhe zemër e vizion. Buxhetin duhet ta kuptojmë si një burim zhvillimi për një Shqipëri me ekonomi të fortë e drejtësi sociale. Një Shqipëri me ekonomi, tregje, sektorë konkurrues, por edhe me njerëz, institucione dhe komunitete solidare që ndërtojnë një shoqëri që mbron qytetarët nga dhuna dhe abuzimi.”-u shpreh znj. Spiropali.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Gazment Bardhi, në diskutimin e tij për këtë projektbuxhet u shpreh se pensionistët në Shqipëri kanë një pension mesatar prej 183 euro, ndërsa vendet e rajonit janë mbi dyfish të larta, dhe shtoi se statistikat tregojnë që kemi një ulje me 8 % për bonusin e fundvitit të të moshuarëve.
Po ashtu, z. Bardhi tha se sa i përket bujqësisë Shqipëria subvencion 4 herë më pak fermerët se vendet e rajonit.
“Për subvencionet e fermerëve ka vënë në dispozicion vetëm 44 milionë euro. Shqipëria ka dy vite që merr zero euro nga fondet e BE, ndërkohë Serbia ka marrë 288 milionë euro.”- tha z. Bardhi.
Ndërsa, Ministri i Financave z. Petrit Malaj gjatë fjalës së tij tha se projektbuxheti i vitit 2025 është më i larti që shteti ka pasur, është buxheti që mbështet fermerët, që mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që mbështet produktet “made in Albania”, që financon me prioritet rrugët që tashmë nuk janë vetëm kombëtare, por janë pjesë e korridoreve europiane duke mundësuar një ndërlidhje më të shpejtë me shtetet fqinje e si rrjedhoje me të gjithë EU.
“Ky është buxheti që do të përmirësojë aksesin te shërbimet më të nevojshme të jetës sonë të përditshme, është buxheti që përmes përmirësimit të planifikimit urban do të synojë qarkullim të shtuar dhe një infrastrukturë më të sigurt, buxheti i politikave më të mira arsimore, punësimit dhe aftësimit profesional, buxheti që garanton më shumë siguri dhe rend.”-theksoi ministri Malaj.
Po ashtu, ai shtoi se të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDIU, z. Shpëtim Idrizi, teksa foli për buxhetin, u shpreh se kemi të bëjmë me një torbë me ar, por nuk do të thotë domosdoshmërisht një torbë me ushqime.
“Pasuria e vërtetë e një kombi, ka thënë Smith, nuk qëndron në sasinë e parave që zotëron, por në prodhimin dhe qasjen ndaj mallrave dhe shërbimeve që përmbushin nevojat e njerëzve“. Sot ne kemi me këtë buxhet një torbë me Ar, të shohim a do të kthehet në torbë me ushqime për ata 700 mijë pensionistë, për 200 mijë njerëz që jetojnë me ndihmë ekonomike apo për 200 mijë të tjerë, që janë në kufijtë e varfërisë.”-u shpreh z. Idrizi.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ndryshim, z. Fatmir Mediu, u shpreh se buxheti nuk jep asnjë shpresë për ekonominë familjare, kombëtare dhe për ata në nevojë.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025” foli z. Eduard Shalsi, i cili u shpreh se
FMN dëshmoi që ekonomia shqiptare është ekonomia më e fortë në Rajon.
“Objektivi ynë është që të vendosim flamurin e Shqipërisë në oborrin e Bashkimit Europian.”-u shpreh z. Shalsi.
Pas diskutimeve, seanca plenare miratoi në parim Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, me 75 vota pro, 40 kundër dhe 0 abstenim.
BUXHETI PËR INSTITUCIONET PËR VITIN 2025
Ministria e Shëndetësisë 80,7 mld lekë
Ministria e Infrastrukturës 74 mld lekë
Ministria e Arsimit 62 mld lekë
Ministria e Ekonomisë 56 mld lekë
Ministria e Mbrojtjes 52,6 mld lekë
Ministria e Brendshme 31 mld lekë
Fondi i Zhvillimit Shqiptar 22,5 mld lekë
Institucione të tjera Qeveritare 15,9 mld lekë
Ministria e Bujqësisë 14,6 mld lekë
Ministria e Drejtësisë 14,3 mld lekë
Ministria e Financave 11 mld lekë
Këshilli i Lartë Gjyqësor 5,6 mld lekë
Ministria e Turizmit 3,9 mld lekë
Ministria e Jashtme 3,8 mld lekë
Prokuroria e Përgjithshme 3,3 mld lekë
SHISH 2,7 mld lekë
SPAK 2,1 mld lekë
Kuvendi 1,8 mld lekë
Instituti Statistikës 962,1 mln lekë
Kryeministria 912,9 mln lekë
RTSH 770 mln lekë
Kontrolli Larte i Shtetit 684 mln lekë
Presidenca 643,9 mln lekë
Institucionet e drejtësisë 605,3 mln lekë
Akademia e Shkencës 549,6 mln lekë
Shkolla e Magjistraturës 485,5 mln lekë
Drejtoria e Arkivave 418,2 mln lekë
Partitë Politike 355,8 mln lekë
KQZ 342,1 mln lekë
ILDKPKI 297,6 mln lekë
Gjykata Kushtetuese 250 mln lekë
Këshilli I Lartë I Prokurorisë 211,5 mln lekë
Avokati i Popullit 196,9 mln lekë
Qendra e Kinematografisë 165,8 mln lekë
Komisioneri informimit 161,7 mln lekë
AIDSSH 160,2 mln lekë
Shoqëria Civile 135,6 mln lekë
Autoriteti i Konkurrencës 124,2 mln lekë
KPP 110,8 mln lekë
KMSHC 98,3 mln lekë
ATSH 93,4 mln lekë
KMD 73,8 mln lekë
ISKK 58,8 mln lekë
Këshilli i Kontabilitetit 18,5 mln lekë