Me një buxhet rekord prej rreth 59 miliardë lekësh, Ministria e Mbrojtjes do të zbatojë një sërë projektesh të rëndësishme për modernizimin e Forcave të Armatosura gjatë vitit 2026. Investimet do të shtrihen në të gjitha degët – tokësore, detare dhe ajrore – me synimin për rritjen e kapaciteteve operacionale dhe infrastrukturës mbështetëse të ushtrisë.
Forcat tokësore
Në kuadër të modernizimit të forcave tokësore, do të hapet kantieri i objekteve të reja në Komandën e Forcave Tokësore (KFT), Zall-Herr, me një vlerë 783 milionë lekë për vitin 2026, pjesë e një programi shumëvjeçar me total 3.74 miliardë lekë.
Gjithashtu, do të nisë paketa e re e armatimit, municionit dhe pajisjeve ushtarake, me 53 milionë lekë këtë vit, si pjesë e një programi që arrin në 27.46 miliardë lekë.
Po ashtu, janë planifikuar 100 milionë lekë për përfundimin e objekteve specifike të gatishmërisë dhe 293.9 milionë lekë për pajisje individuale të rezervistëve.
Forcat detare dhe ajrore
Në Forcën Detare, do të ndërtohen dhe rikonstruktohen objekte të reja në Durrës, me 364 milionë lekë për vitin 2026.
Në Forcën Ajrore, parashikohet blerja e dy avionëve zjarrfikës për emergjencat civile, me një total prej 1.3 miliardë lekësh, nga të cilat 300 milionë lekë do të shpenzohen gjatë vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, vijon financimi i SIVHA – sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore – me 1.6 miliardë lekë për 2026.
Në Farkë do të vijojnë punimet për rrjetin inxhinierik dhe kullën e trafikut ajror, me 230.8 milionë lekë, ndërsa në Kuçovë do të vijojë ndërtimi i bazës ajrore me 178.2 milionë lekë.
Teknologjia dhe siguria
Në fushën e teknologjisë, Mbrojtja do të investojë në pajisje dhe sisteme të sigurisë TIK, përfshirë ngritjen në “cloud” të sistemeve të paktaklasifikuara, përmirësimin e qendrave të serverëve, si dhe blerjen e pajisjeve të sigurisë.
Për këtë qëllim, janë planifikuar rreth 76 milionë lekë vetëm për vitin 2026.
Komanda e Mbështetjes dhe infrastruktura
Në Komandën e Mbështetjes, do të financohet paketa e re e pajisjeve speciale me 1.3 miliardë lekë, ndërsa projekti i nisur në Ferraj, Tiranë, për objektin shumëfunksional të komandës dhe shtabit, do të përfundojë me 102 milionë lekë në 2026.
Baza detare e NATO-s në Porto Romano
Një nga projektet strategjike afatgjata është baza detare e NATO-s në Porto Romano, që do të nisë në vitin 2028 me një fond fillestar prej 2 miliardë lekësh, ndërsa 35.7 miliardë lekë janë planifikuar për fazat pas vitit 2028.



