Pas vendimit të GJKKO-së për të lënë në fuqi masën e arrestit për Ilir Metën, avokati Kujtim Cakrani deklaroi se ish-presidenti nuk ka dijeni mbi lobimin në SHBA dhe nuk ka përdorur kartat bankare të biznesmenit Shatku, siç pretendohet nga prokuroria.
Sipas Cakranit, ato mund të jenë përdorur nga ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, për të cilën Meta nuk mban asnjë përgjegjësi:
“Kartat janë përdorur nga ish-bashkëshortja. Zoti Meta nuk ka dijeni dhe nuk ka përdorur asnjëherë karta. Janë dy entitete të ndryshme që mbajnë përgjegjësi për veten.”
“Meta foli për një orë, përplasje me prokurorin Kllapi”
Avokati bëri të ditur se në seancën gjyqësore pati një debat mes Metës dhe prokurorit të çështjes, Sotir Kllapi:
“Diskutuam për rreth 45 minuta, foli edhe Meta për gati një orë. Sqaroi se nuk ka firmosur për asnjë veprim lobimi dhe se nuk di kush i ka bërë pagesat.”
“Prokuroria nuk ka asnjë provë konkrete”
Sipas mbrojtjes, organi i akuzës nuk ka sjellë prova të reja, megjithëse janë kaluar 8 muaj nga nisja e hetimeve:
“Organi i procedurës nuk ka kryer asnjë veprim të ri. I thamë gjykatës se masat e sigurisë nuk duhet të përdoren për të mbajtur qytetarë në burg pa prova. Kjo është një çështje politike.”
Avokati paralajmëroi se disa persona kanë dhënë dëshmi të rreme, dhe kjo është vepër penale:
“Janë persona që kanë dëshmuar rrejshëm para oficerit të policisë. Do marrim masat tona ligjore në kohën e duhur.”