Përdorimi i parasë cash në Shqipëri ka arritur nivele të larta, duke prekur 4.8 miliardë euro në muajin gusht, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ku paraja jashtë bankave ishte 4.2 miliardë euro, rritja është 600 milionë euro.
Ekspertët tregojnë se ky trend nxitet nga informaliteti, ulja e besimit në banka, shmangia e komisioneve dhe taksave, si dhe tradita e mbajtjes së parave në dorë. Rritja e përdorimit të cash-it ka kosto për ekonominë, duke e bërë më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave dhe duke hapur hapësira për ekonominë informale.
Sipas Bankës së Shqipërisë, paraja cash përbën 24.4% të ekonomisë shqiptare, një nivel pothuajse 3 herë më i lartë se mesatarja në Bashkimin Europian. Në total, në ekonomi qarkullojnë 1.9 trilionë lekë.
Ministria e Financave ka parashikuar në strategjinë afatmesme vendosjen e një limiti për pagesat cash, me qëllim uljen e përdorimit të parasë në dorë dhe formalizimin e ekonomisë.



