Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, deklaroi sot në Parlament se periudha e verifikimit të çështjes së gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka nuk ka një afat të caktuar dhe mund të zgjatet me 3 muaj sa herë që është e nevojshme.
“Ky proces nuk ka afat. Ligji na ngarkon të bëjmë verifikim të plotë dhe më pas ta dërgojmë organit që ka kërkuar verifikimin. Në rastin në fjalë, çështja lidhet me kthimin e përgjigjeve ndaj letërporosive, që nuk janë në dorën tonë. Ne kemi kërkuar që të dhënat të jenë të plota në mënyrë që t’i shërbejnë të gjitha organeve,” tha Çela.
Prokurori shtoi se verifikimi është kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe se janë bërë bashkëpunime me SPAK për dërgimin e materialeve të nevojshme:
“Ajo që mund të them është se Prokuroria e Përgjithshme është përpjekur të tregojë transparencë të plotë me këdo që ka pasur interes për të marrë informacion.”
Irena Gjoka aktualisht është gjyqtare në procesin ndaj ish-presidentit Ilir Meta, por kërkesa e saj për t’u tërhequr nga çështja u refuzua nga kryetari i GJKKO-së. Gjoka ka qenë gjithashtu e përfshirë në vendimmarrje në çështjen e dosjes “Partizani”, ku i pandehur është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Ky deklarim vjen ndërkohë që çështja e gjyqtares ka tërhequr vëmendje publike për shkak të përfshirjes së saj në procese të rëndësishme dhe raste me profil të lartë politik.



