Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, zhvilluan një tryezë pune në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës “Mbështetje për ciklin e procesit zgjedhor”.
Në fjalën e tij, ambasadori Gonzato vuri theksin tek rëndësia e reformës zgjedhore për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Nisja e këtij cikli sot është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Duhet një reformë e thellë zgjedhore. Raporti i OSBE-së evidenton problematika si fusha e pabarabartë, fushata zgjedhore dhe financimi. Këto nuk janë hapa teknikë, por hapa themeltarë drejt BE-së,” – tha Gonzato.
Ai theksoi nevojën për angazhim të palëve politike në një reformë gjithëpërfshirëse, duke nënvizuar se kjo është pjesë thelbësore e procesit të negociatave në Kapitullin e Parë të integrimit.
Nga ana e tij, Celibashi u ndal te dobësitë e administratës zgjedhore, duke theksuar domosdoshmërinë e depolitizimit të saj.
“Administrata zgjedhore nuk ka përmbushur pritshmëritë për të performuar në mënyrë profesionale. Dominimi i saj nga partitë politike ka krijuar një handikap të madh, ndaj kjo duhet të jetë një nga çështjet e para që do të zgjidhen në reformën e re,” – deklaroi ai.
Kryekomisioneri konfirmoi se KQZ kërkon ndryshime strukturore dhe është gati të kontribuojë me trajnimin e komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta, si pjesë e procesit të reformës.
“Është një proces që do të marrë kohë, por edhe partitë politike e kanë kuptuar se mënyra si funksionon administrata aktuale nuk është e duhura. Ndryshimi do të jetë thelbësor për mënyrën se si do të administrohen zgjedhjet në të ardhmen,” – përfundoi Celibashi.



