Kandidati opozitar për Bashkinë Kuçovë në zgjedhjet e 11 majit, Lefter Maliqi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, duke e cilësuar si “kokën e krimit elektoral” që, sipas tij, drejtoi një masakër zgjedhore me porosi politike.
Në një reagim publik, Maliqi shprehet se Celibashi ishte i përfshirë drejtpërdrejt në manipulimin e rezultatit në Kuçovë dhe se ka mbyllur sytë ndaj një sërë shkeljesh të rënda.
“Celibashi është bashkëpunëtor i masakrës elektorale, por s’më ka dëgjuar njeri kur e akuzova për manipulimin e zgjedhjeve në Bashkinë Kuçovë: ndërrimin e kutive, trenin bullgar, fshehjen e formularit të dekriminalizimit, dhomën e fshehtë në KZAZ e krimit në Kuçovë, mbrojtjen e Hajdarit të Kuçovës. Si ky Hajdar ka mbrojtur gjithë hajdarët e Rilindjes, duke kryer masakër elektorale në dëm të opozitës dhe demokracisë,” shkruan Maliqi.
Ai e akuzon Celibashin se ka vepruar me porosi të kryeministrit Edi Rama dhe nën mbrojtjen e kreut të SPAK, Altin Dumani.
“Qetësia e tij tregon dhe fsheh krim të madh elektoral. Ndaj tij duhet reaguar sa më parë,” thekson Maliqi.
Pavarësisht këtyre deklaratave të forta, as KQZ, as Prokuroria e Posaçme nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar ndaj akuzave të Maliqit.