Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, deklaroi sot për mediat se përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) në numërimin e votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme të dielës në Tepelenë ishte një test teknik i suksesshëm.
Testimi i AI në numërimin e votave
Celibashi theksoi se përdorimi i AI nuk kishte për qëllim të zëvendësonte numërimin manual, i cili përcaktohet nga Kodi Zgjedhor, por synonte të vlerësonte profesionalizmin dhe ndershmërinë e numëruesve dhe komisionarëve.
“Leximi dhe numërimi i fletëve u krye me sukses të plotë duke përdorur AI. Programi analizoi pamjet në kohë reale dhe prodhoi thuajse 100% të njëjtin rezultat si numërimi fizik. Vetëm disa pasaktësi të vogla u vunë re në leximin e pjesës së pasme të fletës së votimit,” tha Celibashi.
KQZ synon që përmes këtij teknologjie të testojë saktësinë dhe efikasitetin e numërimit të votave, duke e parë AI si një mjet mbështetës për kontrollin e procesit zgjedhor, pa prekur procedurat ligjore ekzistuese.



