back to top
9.5 C
Tirana
E martë, 23 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaCEO e Jet Bank: Nuk zëvendësojmë bankat tradicionale, zgjidhim probleme reale

CEO e Jet Bank: Nuk zëvendësojmë bankat tradicionale, zgjidhim probleme reale

Shqipëria pritet të ketë së shpejti bankën e saj të parë plotësisht digjitale, Jet Bank, një institucion financiar i ndërtuar mbi teknologjinë më të avancuar dhe i konceptuar për t’iu përgjigjur nevojave reale të klientëve modernë. Jet Bank synon të rrisë përfshirjen financiare dhe të ofrojë një alternativë të re në sistemin bankar shqiptar, duke funksionuar kryesisht përmes aplikacionit mobil, pa degë fizike.

Jet Bank ka marrë së fundmi licencën paraprake nga Banka e Shqipërisë dhe ndodhet aktualisht në fazën rregullatore dhe të certifikimit të sistemeve, përpara nisjes zyrtare të aktivitetit. Onboarding-i i klientëve do të jetë tërësisht digjital, i sigurt dhe në përputhje të plotë me kërkesat ligjore, rregullatore dhe standardet europiane.

Në një intervistë për revistën “Monitor”, CEO e Jet Bank, Fatbardha Rino, shpjegon se banka është ndërtuar mbi Oracle Banking Services, një nga platformat më të përdorura nga institucionet bankare ndërkombëtare, e cila garanton stabilitet, integritet të të dhënave dhe vazhdimësi operacionale.

Sipas Rinos, vendimi për të krijuar një bankë 100% digjitale në Shqipëri nuk ka ardhur si një trend teknologjik, por si rezultat i një analize afatgjatë të zhvillimeve në sistemin financiar dhe, mbi të gjitha, nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë i mungesave në shërbimin ndaj klientëve.

“Jet Bank nuk është ndërtuar për të zëvendësuar bankat tradicionale, por për të zgjidhur probleme konkrete: procese të gjata, produkte të vështira për t’u kuptuar, akses të kufizuar dhe një përvojë që shpesh nuk është ndërtuar rreth individit”, thekson Rino.

Ajo nënvizon se Shqipëria ndodhet në një moment kyç zhvillimi, ku digjitalizimi është një prioritet kombëtar dhe reformat drejt formalizimit të ekonomisë, transparencës dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Europian kanë rritur ndjeshëm besimin e investitorëve ndërkombëtarë.

Sa i përket sigurisë, Jet Bank do të përdorë një infrastrukturë teknologjike të ndërtuar mbi platformat më të sigurta globale, duke kombinuar Oracle Cloud Infrastructure, Microsoft Azure dhe Amazon Web Services. Për mbrojtjen kibernetike do të përdoren firewalls të dedikuara nga Palo Alto, ndërsa identifikimi dhe verifikimi i klientëve do të realizohet përmes platformës Jumio. Monitorimi i riskut, lufta kundër pastrimit të parave dhe përputhshmëria rregullatore do të sigurohen përmes ComplyAdvantage.

“Të dhënat e klientëve do të ruhen brenda Bashkimit Europian, në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe rregulloret më strikte të BE-së për mbrojtjen e të dhënave”, sqaron Rino, duke shtuar se banka do të nisë aktivitetin vetëm pasi të përfundojë i gjithë procesi i testimit dhe certifikimit të sistemeve.

Dallimi kryesor mes Jet Bank dhe bankave tradicionale qëndron në faktin se ajo është ndërtuar digjitale që nga themeli. Nuk ka sisteme të vjetra apo procese manuale të trashëguara, ndërsa proceset thelbësore janë të automatizuara për të garantuar shpejtësi, efikasitet dhe fleksibilitet maksimal.

Paralelisht, Jet Bank po ndërton një strukturë të fortë organizative, përfshirë një Qendër të dedikuar të Shërbimit ndaj Klientit, me staf të trajnuar posaçërisht për menaxhimin e rasteve komplekse dhe mbështetje të vazhdueshme.

Sa i përket strukturës së pronësisë, Jet Bank është në pronësi të Jet Holding, një konsorcium kompanish ndërkombëtare me qendër në Amsterdam. Të gjithë aksionarët dhe pronarët përfitues përfundimtarë kanë kaluar procesin rigoroz të vlerësimit “fit & proper”, në përputhje me kuadrin ligjor shqiptar dhe standardet europiane.

Jet Bank pritet të regjistrohet zyrtarisht dhe të nisë veprimtarinë vetëm pas përfundimit të plotë të procesit rregullator nga Banka e Shqipërisë, duke operuar nën mbikëqyrjen e plotë të autoritetit më të lartë financiar në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat