Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Kryeministrit për zgjidhjen e konfliktit të kompetencës me Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe SPAK, lidhur me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Vendimi u mor mbrëmjen e së premtes pas një procesi të gjatë diskutimesh, ku trupa kushtetuese u nda në dy qëndrime të barabarta, 4 me 4, duke mos arritur shumicën e kërkuar për një vendimmarrje të unifikuar. Për pasojë, kërkesa e Kryeministrit u rrëzua dhe u vendos heqja e masës së pezullimit të Ballukut, të caktuar më 12 dhjetor 2025 nga GJKKO.
Qëndrimi unanim i Gjykatës
Fillimisht, Gjykata Kushtetuese vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 e Kushtetutës, në lidhje me nenin 73 për imunitetin e deputetëve. Sipas Gjykatës, në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrave nuk përfshihet garancia e Kodit të Procedurës Penale që ndalon pezullimin nga detyra të personave të zgjedhur.
Gjykata theksoi se ministrat nuk janë mbi ligjin dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës, në respekt të parimit të shtetit të së drejtës, epërsisë së Kushtetutës dhe ndarjes së pushteteve.
Ku u nda Kushtetuesja
Për çështjen thelbësore, nëse pezullimi nga detyra i një ministri kërkon apo jo autorizim paraprak nga Kuvendi, Gjykata u nda në dy qëndrime të kundërta.
Qëndrimi i parë: Kërkohet autorizim i Kuvendit
Gjyqtarët Marjana Semini, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja dhe Fjona Papajorgji argumentuan se imuniteti i deputetit dhe i ministrit nuk është privilegj personal, por një mekanizëm kushtetues për të mbrojtur funksionimin e institucioneve.
Sipas tyre, ashtu si në rastin e deputetëve, edhe për ministrat, masat që prekin ushtrimin e funksionit kushtetues politik, përfshirë pezullimin nga detyra, duhet të kalojnë përmes Kuvendit. Ata vlerësuan se pezullimi ndërhyn drejtpërdrejt në funksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe prish balancën mes pushteteve, nëse zbatohet pa autorizim parlamentar.
Në këtë këndvështrim, GJKKO nuk mund të vendosë pezullimin e një ministri pa miratimin paraprak të Kuvendit.
Qëndrimi i dytë: Kushtetuta nuk e parashikon autorizimin
Në anën tjetër, gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sandër Beci dhe Asim Vokshi argumentuan se regjimi i imuniteteve duhet të interpretohet ngushtë, në përputhje me frymën e reformës kushtetuese të vitit 2012, e cila synoi kufizimin e tyre.
Sipas këtij qëndrimi, Kushtetuta parashikon shprehimisht vetëm disa masa penale që kërkojnë autorizim të Kuvendit dhe pezullimi nga detyra nuk është një prej tyre. Ata theksuan se çdo zgjerim i garancive mbrojtëse për ministrat i përket ligjvënësit kushtetues dhe jo interpretimit gjyqësor.
Në këtë këndvështrim, GJKKO ka vepruar brenda kompetencave të saj ligjore.
Për shkak të ndarjes 4 me 4 dhe mungesës së shumicës kushtetuese, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës së Kryeministrit dhe heqjen e masës së pezullimit të Belinda Ballukut. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, ndërsa arsyetimi i plotë do të publikohet brenda afateve ligjore.



