Do të duhet të fitojmë në Uashington dhe në Bruksel, porositi kryeministri, Hristijan Mickoski në fjalimin para diasporës në SHBA. Ai në fjalën e tij nuk e përmendi integrimin europian, por theksoi se ka, siç thotë ai, grabitqarë të brendshëm dhe të jashtëm që nuk duan që vendi të ketë sukses. Sipas tij, Qeveria për momentin po lufton për ekonominë.
“Por, ajo luftë për një nga popujt më të vegjël në Europë, që është populli maqedonas, kam frikë se nuk është e mjaftueshme, se do të duhet të fitojmë edhe këtu në Uashington, Nju Jork, Bruksel, Berlin, Londër, Paris, Romë dhe në metropole tjera nëse duam që çështja maqedonase më në fund të ketë epilog, për shkak se nuk është zgjidhur”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Delegacioni i kryesuar nga kryeministri u nis për në Uashington me pritshmëri për mbështetje për integrimin europian. Mickoski theksoi se ka lobuar gjatë takimeve që ka pasur me një pjesë të administratës së re të SHBA-ve, por nuk u shpalosën detaje. Nga VMRO-DPMNE tani për tani nuk komentojnë nëse Uashingtoni do të angazhohet aktivisht në zhbllokimin e rrugës drejt BE-së. Nga Besa presin mbështetje.
“Të presim që të kthehen, të përmbledhim përshtypjet e tyre dhe të bëjmë një deklaratë konkrete, por besoj se ajo që është e rëndësishme, ajo që shohim është se Maqedonia ka miq në SHBA”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Së fundmi, ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, i bëri thirrje përbërjes së re parlamentare që të përshpejtojë procesin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend dhe komisionerja e BE-së Marta Kos theksoi se ndryshimi mbetet kusht për hapjen e kapitujve. Qeveria e re bullgare, megjithatë, theksoi se mbështet zgjerimin e Unionit, por në bazë të marrëveshjeve ekzistuese.