Në vitin 2024, presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, urdhëroi disa zyrtarë nga partia e tij, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD), të formojnë një grup pune.
Detyrë e grupit ishte të hartonte një plan për shkëputjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës.
Kështu thuhet në një deklaratë të lëshuar tri ditë më parë nga Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC).
Si pjesë e grupit secesionist, aty përmenden edhe ministri i Punëve të Brendshme i Republikës Sërpska, Sinisha Karan, dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës Sërpska, Dallibor Paniq.
Karan dhe Paniq, të cilët u vendosën në listën e zezë të OFAC-ut më 17 janar, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në organizimin e festimit të Ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, thuhet se ishin pjesë e grupit që shkroi planin e ndarjes për Dodikun.
Deklarata e OFAC-ut nuk sqaron se cilit grup pune i referohet, ndonëse një grup me synime të ngjashme u formua në Republikën Sërpska në fund të majit të vitit të kaluar.
Atëkohë, Qeveria e Republikës Sërpska caktoi një grup pune prej tetë anëtarësh, i cili duhej të shkruante një marrëveshje për “ndarjen paqësore” të Republikës Sërpska dhe Federatës së Bosnje e Hercegovinës – dy entitetet që përbëjnë këtë vend.
Përveç Paniqit dhe Karanit, në atë grup ishin edhe tre persona, të cilët që më parë ishin nën sanksionet e OFAC-ut: Millosh Bukejlloviq, ministër i Drejtësisë i Republikës Sërpska, Jellena Pajiq Bashtinac, sekretare e përgjithshme në Zyrën e Presidentit të Republikës Sërpska, dhe Dragan Stankoviq, drejtor i Administratës Gjeodezike të këtij entiteti.
Publiku nuk u informua nëse ky grup është takuar, ka arritur në ndonjë përfundim apo ka shkruar dokumente.
Dokumenti në lidhje me shkëputjen, pritej të ishte temë e sesionit të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska më 9 korrik, me një emër tjetër, por u tërhoq nga rendi i ditës.
Më pas u tha se dokumenti ishte propozuar nga një grup deputetësh.
“Shkëputja paqësore” është e pamundur me kuadrin aktual ligjor në Bosnje e Hercegovinë, pasi do të kërkonte ndryshime në Kushtetutë dhe mbajtjen e një referendumi për këtë çështje.
“Nuk u fol për shkëputje”
Një nga të sanksionuarit është Dallibor Paniq, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës Sërpska.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se nuk ka marrë pjesë kurrë në takime ku është diskutuar për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe se “nuk i është dhënë detyrë të bëjë ndonjë gjë kundër rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Dejtonit”.
“Unë nuk e di nëse ka ndonjë akt përmes të cilit është formuar ndonjë grup pune për të bërë ndarjen. Unë së paku nuk e di, edhe pse pretendohet se jam pjesë e atij grupi. Nuk di për takime të tilla dhe nuk kam marrë pjesë në to”, thotë Paniq.
I sanksionuari i dytë që lidhet me grupin secesionist, Sinisha Karan, njëherësh ministër i Brendshëm i Republikës Sërpska, nuk iu përgjigj thirrjeve të Radios Evropa e Lirë për komente.
Llazar Stjepanoviq, përfaqësues ligjor i Republikës Sërpska, ishte një prej anëtarëve të grupit të punës për ndarjen paqësore të Republikës Sërpska nga Federata e Bosnje e Hercegovinës.
Stjepanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk e di se cilit grup specifik i referohet OFAC-u, por supozon se “janë ata për të cilët bëhet fjalë”.
Ai thotë se pas takimeve fillestare, menjëherë pas formimit, grupi nuk është takuar më.
“Grupi punues është mbledhur dhe pastaj nuk kemi pasur ndonjë aktivitet. Të paktën mesa di unë. Nuk kam qenë i përfshirë, ndoshta ka ndodhur diçka pa mua”, thotë Stjepanoviq.
Në anën tjetër, Darko Qullum, drejtor i Agjencisë së Hetimit dhe Mbrojtjes në Bosnje e Hercegovinë (SIPA), thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo agjenci nuk është informuar për ndonjë plan për shkëputje apo grupe pune, ndërsa Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse është duke i hetuar pretendimet në fjalë.
Nga Ambasada e SHBA-së në Sarajevë, ndërkaq, thanë se për shkak të inaugurimit të presidentit amerikan më 20 janar, nuk punojnë.
Nuk kishte takime nga frika e sanksioneve?
Opozita parlamentare në Republikën Sërpska pajtohet se bëhet fjalë për një grup pune të formuar nga Qeveria e Republikës Sërpska për “ndarjen paqësore të Republikës Sërspka dhe Federatës së Bosnje e Hercgovinës”.
“Përveç nëse ata [OFAC-u] kanë ndonjë informacion tjetër, se një grup joformal është krijuar dhe se ka bërë diçka në prapaskenë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Igor Cërnadak, kryetar i grupit parlamentar të Partisë së Progresit Demokratik.
Ai thekson se, sipas informacioneve të tij, grupi i punës nuk është takuar, për shkak se pjesëtarët e tij kanë pasur frikë nga sanksionet dhe kanë menduar se në atë mënyrë do t’u shmangen atyre.
“Ne e kemi kërkuar atë informacion në seanca, na tregoni se çfarë po bëhet… Ata, thjesht, kanë heshtur”, thotë Cërnadak.
Shkëputja “indirekte” e Republikës Sërpska
Autoritetet e Republikës Sërpska, të udhëhequra nga Millorad Dodik, nuk kanë ndërmarrë hapa të qartë drejt shkëputjes nga Bosnje e Hercegovina, por, megjithatë, kanë zbatuar një sërë hapash që i reduktojnë fuqitë shtetërore.
Marsin e kaluar, në vlerësimin e tij vjetor, Komuniteti i Inteligjencës i SHBA-së vuri në dukje se Dodik “po ndërmerrte hapa provokues për të neutralizuar monitorimin ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republikës Sërpska”.
Në verë të vitit 2023, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi ligje që parashikojnë moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës në territorin e këtij entiteti, si dhe kërkojnë që vendimet e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, të mos botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.
Për shkak të nënshkrimit të dekretit për shpalljen e këtyre ligjeve, para Gjykatës në Bosnje e Hercegovinë është duke u zhvilluar një gjyq kundër Dodikut.
Dodik, gjithashtu, ka kërcënuar me shkëputje nëse Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë imponon një ligj për pronën shtetërore./REL