back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaMiliona lekë, vila dhe transaksione fiktive/ Çfarë zbuloi SPAK për Ahmetajn?

Miliona lekë, vila dhe transaksione fiktive/ Çfarë zbuloi SPAK për Ahmetajn?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar zyrtarisht hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim në kuadër të procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022.

Në këtë dosje janë marrë të pandehur gjithsej 11 persona, mes tyre emra të njohur si Albina Mançka, Erjola Hoxha, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.

Akuzat ndaj Arben Ahmetajt

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Ahmetaj akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” në 9 raste, si dhe për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë” në 15 raste, përveç akuzës për “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Hetimet kanë arritur në përfundimin se ish-zv.kryeministri ka përfituar shuma të konsiderueshme parash dhe pasuri të ndryshme nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët konsiderohen figura kyçe në këtë dosje.

Sipas prokurorisë, përfitimet e pretenduara përfshijnë, pagesa për investime në një apartament të shndërruar në Airbnb, në vlerë mbi 2 milionë lekë, transaksione fiktive përmes të cilave dyshohet se janë përfituar rreth 170 mijë euro dhe 270 mijë euro, përfitimin e një vile në Hamallaj, me vlerë rreth 230 mijë euro si dhe jane mbuluar shpenzime udhëtimi ndër vite për Ahmetajn dhe familjarët e tij.

Dyshime për fshehje pasurie dhe deklarime të rreme

Një pjesë e konsiderueshme e akuzave lidhet me deklarimin e pasurisë. SPAK pretendon se Ahmetaj ka fshehur burimin e të ardhurave dhe ka bërë deklarime të rreme në disa raste pranë ILDKPKI.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka fshehur investime në apartamente dhe burimin e financimit të tyr, ka kryer shitje fiktive për të mbuluar pagesa të dyshuara si ryshfet, ka fshehur pronësinë dhe investimet në vilën në Hamallaj, nuk ka deklaruar saktë një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë, me vlerë qindra mijëra euro, ka fshehur shpenzime të konsiderueshme, përfshirë edhe shuma të humbura në kazino jashtë vendit.

Akuza për pastrim parash

SPAK e akuzon Ahmetajn edhe për pastrim të produkteve të veprës penale në disa episode, që lidhen me investime, transaksione të dyshimta dhe fshehje të pronave.

Sipas dosjes, këto veprime janë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, përfshirë ish-bashkëshorten e tij Albina Mançka dhe bashkëjetuesen Erjola Hoxha.

Roli i të pandehurve të tjerë

Në këtë çështje, SPAK ka ngritur akuza edhe për personat e tjerë të përfshirë shtetaset, Albina Mançka dhe Erjola Hoxha, te cilat akuzohen për fshehje pasurie dhe pastrim parash në bashkëpunim, shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, te cilet akuzohen për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

Si dhe personat e tjerë si Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja akuzohen për pastrim parash

Çfarë pritet më tej

Me dërgimin e dosjes në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pritet që gjykata të vendosë për kalimin ose jo të çështjes për gjykim në themel.

Ky është një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK ndaj një ish-zyrtari të lartë të qeverisë, duke shënuar një tjetër zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat