Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të enjte uljen e çmimeve të karburanteve në vend, duke reflektuar ndryshimet në tregun ndërkombëtar.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin do të jetë jo më shumë se 203 lekë/litër, ndërsa çmimi me shumicë do të jetë deri në 191 lekë/litër.
Ndërkohë, për benzinën është vendosur që çmimi i shitjes me pakicë të jetë jo më shumë se 175 lekë/litër, ndërsa me shumicë deri në 163 lekë/litër.
Autoritetet bëjnë me dije se këto çmime do të hyjnë në fuqi sot, më 26 mars, ora 18:30, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku pritet të reflektohen luhatjet e reja të tregut.
Bordi ka paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, duke theksuar se çdo shkelje do të shoqërohet me masa të forta, deri në pezullim aktiviteti.
Sipas njoftimit zyrtar, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbeten të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.



