Nga Artan Fuga
A është artificial, a është për shkak të luftës të Izrael-USA dhe Iranit, por dihet se çmimet e karburanteve kudo nëpër Evropë janë ngritur. Nuk kishte ndonjë naiv që të besonte se te ne, në Shqipëri, nuk do të ngriheshin!
Ja po ta themi mesatarisht deri tani nga 15 dhe 20 lekë litri. Për dhjetë litra 150 lekë të reja, nëse do të bësh një mbushje të plotë shkon në vartësi të serbatorit edhe gjashtë deri dhjetë mijë lekë në një mbushje të plotë. Nëse supozon se për dikë që punon me makinë, por jo vetëm ata, bën pesë ose gjashtë mbushje në muaj, ja ku vajtën 40 deri 60 mijë lekë të më tepër në muaj.
Atëhere si e përballojnë shqiptarët? Se nëpër Evropë sheh makinat e heshtura buzë trotuareve parkuar, kurse te ne lumi i makinave nuk ka të sosur.
Ja, pra, se kemi mirëqënie – thonë ata pak propagandistë që kanë mbetur në qytet.
Në fakt, çfarë ndodh sociologjikisht dhe ekonomikisht kur dikush thotë se ja: Kafenetë i keni plot! Ku vuan shqiptari! Ja, pra, edhe çmimi i karburantit rritet, dhe përsëri ne mbi timon!
Dhe mos harrojmë se çmimi për litër i karburantit është i njëjtë në Evropë dhe Shqipëri. Këtu e kemi arritur Evropën!!!
Por, pas gjithë kësaj mitologjie, enigme, ka shpjegime që nuk të lënë të fluturosh në qiellin e hapur të propogandës.
– Sidomos fundjavave dhe muajve të pranverë – verë – fillim vjeshte rritet qarkullimi i makinave nga targat e huaja, të emigrantëve, dhe të vëllezërve tanë kosovarë, shqiptarë të Maqedonisë, etj. Po ashtu, shto edhe maiknat me qira të turistëve.
– Hidhini një sy buxhetit të familjeve shqiptare dhe do të shihni se e gjitha kjo histori mbështetet te flukset e harxhimeve familjare që përbëjnë një të dhënë të fshehur. Cmimet e rritura të karburanteve përballohen nga strategji buxhetore të familjes që mund të përballojë vetëm nevoja bazë. E kam fjalën për familjet me të ardhura mesatare, dhe poshtë. Fare pak fonde për libra, ose aspak, e gjithë kultura përmblidhet te pagesa e lidhjes Internet dhe e kanaleve televizive, turizëm pak ose aspak, investime për sport, shëndetin trupor nëpërmjet aktiviteteve – krejt të rrudhura, nuk bëhet fjalë për shpenzime të konsiderueshme për art, kulturë, festa.
Udhëtimet jashtë për të njohur botën nga kjo pjesë e familjeve shqiptare as çohen ndërmend. Ushqimet blihen nga ato të dorës së fundit, nuk dihet se me çfarë përmbajtje pesticidesh. Kush shkon për të blerë me çmime tre ose katër herë më të larta, produkte bio, të cilat nuk dihet se nga vijnë e ku shkojnë!
Gjithçka prioritare për karburantin.
Sepse është reputacioni i familjes.
Makinat e vjetra në këtë pjesë të shoqërisë japin mundësi të blesh një rrangallë të vjetër, por duke mbetur i privuar në anë të tjera.
Fjalia : “Kam makinë.” është e shkëputur nga realiteti. Dikur, në ëndërra, ajo donte të thoshte se kishe një farë mirëqënie. Kurse sot ajo fjali, e njëjta, mund të thotë se je i varfër. Varet nga c’lloj makine ke në zotërim! Përse e përdor? Për të shkuar në Selanik për shopping, apo pëzr të cuar presh dhe qepë të dyqani i lagjes për furnizim!
Mos harrojmë se nuk ka veçse një shërbim minimal me autobuza urbanë. Shërbimet nuk janë të rajonalizuara. Për të shkuar nga njëri cep te tjetri i qytetit të duhen përndryshe disa orë!
Makina duhet patjetër. Ndryshe “ngordh”.
Me vetura të vjetra, gjysëm kamionçina, bëhen transporte dhe për punë, shërbime, furnizim tregu, përdoren edhe për punët dhe hallet e shtëpisë.
Cdo gje mund të kursesh, por jo te makina!
Ja pra, pse shqiptari i mesëm dhe ai me të ardhura të ulta, heqjen dorë nga buxheti për karburant e ka kursimin e fundit, pas bukës, ujit, dhe pagesës së elektrikut! Gjithcka e ka reduktuar. Se mos do të investojë në ndonjë gjysmë vilë të vogël për herë të dytë! Amortizohet ajo e ndërtuar përpara disa vitesh.
Prandaj, njerëzit e shumtë në kafene, dhe makinat në rrugët që bllokohen nga trafiku për disa, një pjesë, sigurisht janë shenjë paraje të lehtë, ose me djersë, për një pjesë tregon mirëqënie, por këta janë pakica. Për shumicën, harxhimi për karburant dhe për kafe, është shënjë vështirësish ekonomike, dhe jo bollëku, e pasurie.
Pamja nuk shpreh atë që ndodh realisht!



