Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka komentuar situatën brenda PD-së, duke theksuar se opozita ndodhet në një gjendje të rëndë, ku meritokracia mungon dhe partitë po shndërrohen në shtojca të pushtetit.
Në një intervistë për mediat, Sula foli edhe për rastin e ish-deputetes Zheni Gjergji, e cila nuk mori pozicionin që meritonte brenda PD-së dhe më pas u emërua drejtuese e Spitalit të Elbasanit. Ai kritikoi mënyrën se si drejtuesit e partisë menaxhojnë emërimet dhe privilegjet brenda strukturave.
“Kur shikoj që drejtuesi im i opozitës bën kalkulime personale, mban rreth vetes njerëz që s’kanë vlerë dhe do të ketë status quo… Gjergji ishte doktoreshë me vlera dhe e zëvendësuan me një anonime. PD nuk ka meritokraci, nuk vlerëson vlerat. Jo vetëm s’i dhanë atë që meritonte Gjergjin, por e denigruan,” tha Sula.
Problemet e PD-së sipas Sulës
Sula theksoi se PD është duke shkuar drejt rrudhjes dhe humbjes së besimit, duke u kthyer në një shtojcë të pushtetit dhe duke bërë biznes me pushtetin:
Zëra kritikë mbyten, figura të larta nuk e përçojnë mendimin e demokratëve;
Sistemi me lista të mbyllura është problemi kryesor për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin;
Qytetarët dhe demokratët po ndiejnë zhgënjim për mënyrën se si funksionon opozita.
“Është sot e pashpjegueshme që të jesh në opozitë dhe të bësh jetë luksi. S’ke një eksponent të PD-së që të ketë takuar anëtarët në seksione, sepse i refuzojnë demokratët… PD do shkojë drejt rrudhjes, është fatkeqësi,” shtoi Sula.
Pranimi i një funksioni publik
I pyetur nëse do të pranonte një pozicion drejtues nëse i kërkohet, Sula u shpreh:
“Do të përmbush çdo lloj funksioni në respekt të shtetit shqiptar dhe qytetarëve shqiptarë. S’i bëj bisht përgjegjësisë. Nuk mund të pres duke qarë pas derës së Sali Berishës dhe Flamur Nokës… Në habitatin tim që mund të kem një funksion, do ta përmbush me integritet dhe për t’u shërbyer qytetarëve.”
Sula gjithashtu foli për idhullin e tij të vjetër politik, Sali Berishën, duke thënë se e ndien keqardhje për të, por e vlerëson se situata ka ndryshuar dhe figura të tjera kanë marrë rol kyç brenda PD-së.
“Berisha nuk është më Sali Berisha. Edhe një pjesë e manipulojnë, edhe efekti moshor. Simboli i emrave të ligj brenda PD është Vokshi dhe Noka,” përfundoi ai.



