Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të hënë një lidhje live në rrjetet e tij sociale, ku ka folur lidhur me pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke komentuar një seancë të regjistruar në Gjykatën Kushtetuese.
Rama u shpreh se nga dëgjimi i regjistrimit të seancës, ku gjyqtarë dhe shoqata gjyqtarësh kanë kërkuar rritje pagash, logjika e argumentimit lë për të dëshiruar, duke ngritur pikëpyetje mbi nivelin e arsyetimit të atyre që japin drejtësi.
“Gjykata Kushtetuese para pak ditësh kërkoi regjistrimin e seancës ku gjyqtarë dhe dy shoqata gjyqtarësh, edhe ata me probleme të paregjistruara gjithsesi, kërkuan që t’u rriten pagat. Po ta dëgjosh atë regjistrim, realisht ndihesh në vështirësi duke menduar se këta janë njerëzit që japin drejtësi,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për sulm personal dhe se nuk ka dëshirë të hyjë në polemika me individë apo institucione të drejtësisë.
Pagat e gjyqtarëve më të larta se të presidentit dhe deputetëve
Kryeministri vuri në dukje se aktualisht gjyqtarët në Shqipëri kanë paga më të larta se presidenti i Republikës dhe deputetët, ndërsa sipas tij, në raport me rajonin, Shqipëria nuk është aspak në disavantazh.
“Dua që ta dinë të gjithë se e vërteta është kjo: në Shqipëri pagat e gjyqtarëve sot janë të njëjta me pagat e gjyqtarëve në Greqi. Janë dyfish më të larta se në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi,” deklaroi Rama.
Reforma në drejtësi dhe sistemi i referencës së pagave
Rama rikujtoi se në vitin 2016, në kuadër të reformës në drejtësi, u vendos një sistem referencë pagash, me qëllim forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.
“Zgjodhëm një sistem referencë të bazuar në qëllimin e mirë që gjyqtarëve t’u jepeshin paga më të larta se të tjerëve, për t’i mbështetur në pavarësinë e shpallur me reformën në drejtësi, duke i ngritur mbi presidentin e republikës dhe mbi të gjithë,” tha ai.
Sipas kryeministrit, kjo u bë për të dhënë një sinjal të fortë politik dhe institucional për mbështetjen e një drejtësie të pavarur, por edhe për të garantuar që gjyqtarët të ndihen të mbështetur financiarisht.



