Gjatë një takimi të zhvilluar këtë të mërkurë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, delegacioni i Parlamentit Europian diskutoi me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe disa çështje me interes strategjik.
Deputeti i Parlamentit Europian, Peter Gahler, ngriti pyetje lidhur me qëndrimin e Shqipërisë ndaj Bordit të Paqes, një iniciativë e propozuar nga Presidenti i SHBA‑s, Donald Trump, duke kërkuar sqarime për pranimin e menjëhershëm të vendit tonë.
Balla theksoi se Shqipëria ka një marrëdhënie të veçantë me SHBA, por shtoi se institucionet e Bashkimit Europian duhet të sqarojnë vetë mungesën e përfaqësimit të BE-së në këtë strukturë:
“Zoti Gahler bën mirë të pyesë Këshillin Europian pse ju vetë si BE nuk keni një pozicion të përbashkët për këtë çështje,” tha Balla, duke theksuar nevojën për koordinim më të mirë brenda BE‑s.
Në vijim të diskutimit, Balla ngriti edhe shqetësime lidhur me procesin juridik në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke përmendur opinionet dhe shqetësimet e disa udhëheqësve të Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në çështjet e trajtuara atje.



