back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 1 Prill, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaTension në sallë/ Debate mes prokurorëve dhe avokatëve në gjyqin ndaj Erion...

Tension në sallë/ Debate mes prokurorëve dhe avokatëve në gjyqin ndaj Erion Veliajt

U zhvillua sot seanca gjyqësore e themelit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 të pandehur të tjerë.

Veliaj nuk u paraqit në seancë, ndërsa të pranishëm ishin prokurorët e çështjes. Në nisje të procesit, gjykata u shpreh se Veliaj ka depozituar një deklaratë ku kërkon të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca, i cili ishte i pranishëm në sallë.

Në seancë munguan edhe Ajola Xoxa dhe ish-deputetja Klotilda Bushka, të cilat u përfaqësuan nga mbrojtësit e tyre ligjorë. Nga të pandehurit ishte i pranishëm vetëm Elman Abule. Po ashtu munguan ish-polici Fatjon Baci dhe avokati i tij Artan Simoni.

Gjykata iu drejtua prokurorëve mbi mënyrën e vijimit të procesit në kushtet kur njëri prej të pandehurve nuk kishte as avokat të pranishëm në sallë. Në këtë kontekst, avokati Sokol Hazizaj kërkoi veçimin e çështjes për klientin e tij, të pandehurin Fatmir Bektashi.

Gjatë diskutimeve, prokurori i SPAK, Ols Dado, u shpreh se kërkesat e paraqitura mund të synojnë shtyrjen e procesit, duke theksuar se çështja është në shqyrtim prej muajsh. Nga ana tjetër, avokati Hazizaj argumentoi se kërkesa e tij është në përputhje me ligjin dhe synon edhe efikasitetin e procesit gjyqësor.

Avokati i Veliajt deklaroi se prokuroria po përpiqet të bashkojë fazat procedurale në mënyrë që të krijojë përshtypje për zgjatje të procesit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të procesit të rregullt ligjor dhe pranisë së të gjithë palëve në seancë.

Në përfundim, gjykata vendosi të shtyjë seancën për në datën 3 prill, në orën 09:00. Për kërkesën e veçimit të çështjes për një nga të pandehurit, gjykata u shpreh se do të vendosë në një moment të mëvonshëm.

Gjithashtu, për shkak të mungesës së avokatit të të pandehurit Fatjon Baci, gjykata vendosi t’i caktojë atij një mbrojtës tjetër dhe urdhëroi që në seancën e radhës të bëhet shoqërimi i detyrueshëm i tij. Shtyrja e seancës sjell edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit që janë me masa sigurie.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat