Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar situatën aktuale brenda PD-së dhe debatin mbi moszbatimin e nenit të njohur si “neni Basha”, i cili parashikon dorëheqjen e kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve.
I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Bardhi tha se ka qenë kundër këtij neni që në momentin kur u propozua në vitin 2021 dhe mbetet kundër edhe sot, megjithëse ai është pjesë e statutit të PD.
Sipas tij, dorëheqja nuk duhet të vijë si pasojë e një detyrimi formal, por si një akt i ndërgjegjshëm dhe i vullnetshëm i individit.
“Ai nen ka qenë kundërshtuar nga unë që kur është propozuar në vitin 2021. Për mua është një nen jo demokratik, i cili i jep Partisë Demokratike tiparet e një partie jo demokratike. Përgjegjësia është proces individual. Dorëheqja është akt i vullnetshëm i individit, që nuk imponohet nga rregulli”, tha Bardhi.
Ai shtoi se PD nuk ka nevojë për “zgjidhje mekanike”, por për analiza dhe vendimmarrje logjike.
Gazetarja Erla Mëhilli e pyeti gjithashtu nëse do të kandidojë për kryetar të PD-së. Bardhi e përjashtoi këtë mundësi duke theksuar se nuk ka ambicie për të drejtuar partinë.
“I qëndroj të njëjtës përgjigje që kam dhënë vjet, parvjet… Se gjithmonë më pyesni për këtë gjë. Jo, nuk kam asnjë ambicie për të drejtuar Partinë Demokratike në këtë moment që po flasim,” u shpreh ai.