Gjatë këtij viti janë rreth 144 mijë individë që kanë detyrimin të plotësojnë deklaratën e të ardhurave përsonale ose e njohur ndryshe si DIVA.
Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore, DIVA është plotësuar nga rreth 74 mijë individëderi më tani ndërsa ka vlerësuar se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri që ul kufirin për të deklaruar nga 2 milion në 1.2 milion lekë në muaj , numri i deklaruesve pritet të jetë shumë më i lartë se vitet e mëparshme.
Ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin e fundit për plotësimin e deklaratës së të ardhurave drejtoria e tatimeve ka rikujtuar të gjithë qytetarëve që të plotësojnë deklaratën. Afati i fundit për plotësimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave për vitin 2024 është data 31 Mars.
Administrata Tatimore njofton se deklarata, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Rubrikat e sipërpërmendura, megjithëse gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato.
Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit përsa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. Në rastet kur individët për një arsye apo tjetër nuk bëjnë deklarimin në afat, penalizohen me gjobë në vlerën 3 mijë-10 mijë lekë.