Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur procedurën e shqyrtimit për gjyqtaren Irena Gjoka, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).
Kërkesa për fillimin e hetimit disiplinor është depozituar në ILD nga një anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili ka paraqitur ankesë me objekt verifikimin e shkeljeve të mundshme disiplinore nga ana e magjistrates.
Sipas njoftimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë do ta shqyrtojë ankesën në përputhje me parashikimet ligjore, konkretisht pjesën V, kreun II të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që rregullon procedurat disiplinore ndaj magjistratëve.
Ky zhvillim vjen pasi Prokuroria e Përgjithshme, në muajin janar, përfundoi verifikimin administrativ për gjyqtaren Gjoka, lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016. Procesi i verifikimit u ndërmor pas kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në KLGJ dhe pretendimeve se gjyqtarja kishte fshehur probleme nga e kaluara gjatë qëndrimit në Greqi.
Pretendimet janë ngritur publikisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka deklaruar se gjyqtarja Gjoka ishte dënuar nga autoritetet greke për një incident të ndodhur më 24 dhjetor 2002 në pikën kufitare të Kakavijës, ku sipas tij ajo ishte konstatuar me dokumente udhëtimi të falsifikuara, pa e deklaruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit.
Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, kanë dorëzuar gjithashtu disa parashtresa në Këshillin e Lartë Gjyqësor lidhur me këtë çështje. Malltezi ka bërë publike dokumente online, duke deklaruar se janë depozituar tre parashtresa brenda 10 ditëve të fundit, ndërsa sipas tij KLGJ ende nuk ka dhënë përgjigje.
Pas përfundimit të verifikimeve brenda dhe jashtë vendit, Prokuroria e Përgjithshme miratoi rezultatet dhe ia përcolli ato Këshillit të Lartë Gjyqësor. Paralelisht, SPAK po kryen hetime për këtë rast në kuadër të një procedimi penal pa emër.
Gjyqtarja Irena Gjoka ka gjykuar një sërë çështjesh me profil të lartë, që përfshijnë politikanë, zyrtarë të lartë dhe persona të lidhur me krimin e organizuar, duke e bërë procesin e shqyrtimit ndaj saj një çështje me interes të lartë publik.



