Delegacioni i BE-së me kritika të ashpra lidhur me keqmenaxhimin me mbeturinat në Maqedoninë e Veriut, shkruan Alsat.
Ata thonë se situata nuk është aspak e mirë, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të BE-së dhe partnerëve të tjerë, për ta përmirësuar situatën.
“Për fat të keq situata nuk është e mirë pavarësisht përpjekjeve të mëdha nga ana jonë dhe partnerët tjerë, ne kemi parë shumë pak lëvizje në vitet e fundit. Situata është se pothuajse të gjitha mbeturinat e vendit përfundojnë jo vetëm në deponi që duhet të jenë të mënyrë të organizuar, po ashtu edhe 30 për qind e tyre përfundojnë gjithandej. Ne jemi munduar ta rregullojmë situatën në të kaluarën, në 8 vitet e kaluara, kur kishim alokuar mjete, por më duhet të them se shumë pak është arritur deri më tani”, tha Steffen Hudolin, Shef i bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut.
Ambasadorja e Suedisë në Shkup, thotë se një prej gjërave më të rëndësishme që duhet të bëhen në vend është vendosja e sistemit të menaxhimit të mbeturinave.
“Ne duam të shikojmë teksa shkohet përpara…Mendojmë se mund të bëhet më shumë, po ashtu duke punuar me shoqërinë civile, me edukimin, po ashtu duke punuar me shkollat, duke trajnuar gjeneratat e reja që të mendojnë për riciklimin, duke u siguruar se mbeturinat menaxhohen në mënyrën e duhur. Ne kështu kemi bërë në Suedi dhe e dimë se funksionon”, u shpreh Ami Larsson Jain, Ambasadore e Suedisë në Shkup.
Nga Ministria e Mjedisit thonë se në aspektin e rregullativës nuk ka asnjë lëshim, por mungon implementimi.
“Sa i përket rregullativës ne nuk shkojmë mbrapa, rregullativa jonë është tërësisht e harmonizuar me atë të BE-së dhe vazhdimisht ndjekim rregullativat e reja të BE-së që t’i implementojmë në legjislacionin tonë, megjithatë mungon është implementimi rregullativës”, theksoi Ana Karanfillova Mazevska, Përfaqësuese e Ministrisë së Mjedisit jetësor.