Në tre muajt e parë të 2025, kompanitë e sigurimit kanë paguar më pak dëme. Rreth 1.9 miliardë lekë është shuma e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit në janar-mars të këtij viti. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se dëmet e paguara bruto ranë me 3.77%, ndërsa pjesa më e madhe i përkasin sigurimit motorik, konkretisht MTPL së brendshme.
Duke qenë se numri më i madh i kontratave dhe primeve të shkruara bruto është regjistruar për sigurimet në kategorinë e jo-jetës, edhe vlera e dëmeve të paguara është më e lartë në aktivitetin e jo-jetës. Rreth 89.4% e shumës së dëmeve të paguara i takon kategorisë së jo jetës, gati 5.26% janë dëme të paguara nga Fondi i Kompensimit dhe 5.3% janë dëme të paguara për jetën. Nga Fondi i Kompensimit rezulton të jenë paguar më pak dëme se në 2024. Fondi i Kompensimit nga dëmet në sektorin e transportit për vitin 2025 është në masën e 250 milionë lekëve.
Megjithëse vlera e dëmshpërblimeve ka qenë me ulje, numri i dëmeve që janë paguar është me rritje. Numri i dëmeve të paguara në tremujorin e parë të vitit rezulton mbi 18 mijë, 496 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit pararendës, nga të cilat 11,632 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 479 nga shoqëritë e sigurimit të Jetës.
Për sa i takon sigurimit të jetës, produkti i jetës së debitorit ka vlerat më të larta të pagesave të dëmeve, ndërsa në kategorinë e jo-jetës, pas atij motorik vjen sigurimi i mjeteve tokësore, i sëmundjeve dhe më pas sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës.
Nga ana tjetër, dëmet pezull, pra ato që janë të papaguara akoma, që janë në proces vlerësimi ose që janë objekt i çështjeve gjyqësore, kanë pësuar rritje.