Një oficer karriere i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dyshohet se është rrëmbyer dhe torturuar nga struktura kriminale, vetëm pak kohë pasi kishte dorëzuar në sistemin e brendshëm të institucionit një material të konsideruar delikat, që ekspozonte veprimtarinë e grupeve të organizuara kriminale në jug të vendit.
Sipas informacionit të siguruar nga gazetari Basir Çollaku, oficeri dyshon se është tradhtuar nga eprorë ose kolegë të tij, të cilët mund të kenë dekonspiruar të dhënat që ai kishte përgatitur për t’ia përcjellë Prokurorisë. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth katër ose pesë muaj më parë dhe ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë e informacionit brenda institucioneve shtetërore dhe lidhjet e mundshme mes krimit të organizuar dhe strukturave të shtetit.
Oficeri, me përvojë të gjatë në terren, kishte punuar për një periudhë të konsiderueshme në identifikimin e rrjeteve kriminale dhe aktiviteteve të paligjshme. Pas grumbullimit të të dhënave që cilësohen si “shumë të vlefshme”, ai kishte përgatitur një relacion të detajuar me emra dhe fakte, të cilin e kishte hedhur zyrtarisht në sistemin e SHISH, me qëllimin që materiali të vlerësohej dhe t’i përcillej Prokurorisë për hetim.
Sipas pretendimeve, vetëm disa ditë pas dorëzimit të materialit, situata ka marrë një kthesë dramatike. Oficeri dyshohet se është marrë peng nga persona të lidhur me grupet e denoncuara, është dërguar në një zonë periferike larg vëmendjes publike dhe është dhunuar e torturuar. Më pas, ai është braktisur në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike.
Pas ngjarjes, oficeri ka dyshuar se informacioni i depozituar në sistemin e brendshëm nuk ka mbetur sekret. Në fokus të dyshimeve të tij janë drejtues të qarkut përkatës, por edhe struktura të larta të institucionit, të cilat kanë pasur akses në materialin informues.
Në këto kushte, oficeri ka paraqitur kallëzim në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm. Megjithatë, sipas burimeve, hetimi është shoqëruar me vonesa dhe hezitime, ndërsa brenda institucionit ka pasur përpjekje që rasti të mos bëhet publik. Flitet për presione të heshtura dhe mungesë vullneti për të çuar përpara zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërsa rasti nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përkatëse, dokumenti informues rezulton i regjistruar në sistemin e brendshëm, duke e bërë çështjen një test serioz për besueshmërinë institucionale, sigurinë e oficerëve dhe luftën reale kundër krimit të organizuar.



