back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 31 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Deputetë me duar në xhepa”/ Berisha justifikon paaftësinë e të rinjve të...

“Deputetë me duar në xhepa”/ Berisha justifikon paaftësinë e të rinjve të Kuvendit?

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një mesazh të gjatë dhe të detajuar për deputetët e rinj të Kuvendit, duke ndarë me ta përvojën dhe këshillat e tij mbi mënyrën se si duhet të ushtrojnë funksionin e përfaqësuesit të qytetarëve.

Në një takim me deputetë të rinj, Berisha i cilësoi përfaqësuesit e popullit si “njerëz me një mision të shenjtë”, duke i këshilluar që të mbajnë lidhje të forta me elektoratin dhe të mos harrojnë asnjëherë qëllimin thelbësor të mandatit të tyre: përfaqësimin e qytetarëve.

“Ju përgëzoj nga zemra për këtë ftesë t’u jap disa nga mendimet e mia në fillimet e misionit tuaj fisnik si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë.
Për çdo njeri që ka ambicien më të vogël politike, qenia deputet është realizimi i një ëndrre ndër më të bukurat e jetës së tij”, – tha Berisha.

Sipas tij, mandati i deputetit është ndër funksionet më të rëndësishme publike, pasi përmes tij mund të ndikohen drejtpërdrejt jetët e mijëra qytetarëve nëpërmjet nismave ligjvënëse dhe vendimeve që merren në Kuvend.

“Deputeti ka shansin e madh që në tempullin e parlamentit të formohet si një orator i shkëlqyer. Nuk ka platformë më dinjitoze se ajo e parlamentit për të treguar oratorinë tuaj.
Është mundësia e jetës suaj që me ligje dhe vendime të ndikoni në jetën e mijëra qytetarëve”, – theksoi ai.

Një nga mesazhet kryesore të Berishës për deputetët e rinj ishte rëndësia e ruajtjes së lidhjes së vazhdueshme me zgjedhësit, duke e konsideruar atë si “raportin më thelbësor” të çdo përfaqësuesi të popullit.

“Një deputet që shkëputet nga zgjedhësit, që harron interesat e tyre, humb thelbin e misionit të tij.
Është fatkeqësia më e madhe kur një deputet pushon së qenuri avokat i atyre që e kanë votuar.
Takimet me zgjedhësit janë të pazëvendësueshme dhe asgjë nuk duhet të shkëpusë deputetin nga elektorati i tij”, – u shpreh Berisha.

Ai theksoi se çdo përfaqësues duhet të mbrojë interesat e qytetarëve që e kanë dërguar në parlament dhe të jetë zëri i tyre në sallën e Kuvendit.

Kritika për mungesën e stafit parlamentar: “Deputetë me duar në xhepa”

Në vijim, Berisha kritikoi organizimin aktual të Kuvendit, duke thënë se deputetët shqiptarë punojnë pa staf mbështetës dhe pa logjistikën e duhur për të ushtruar funksionin e tyre me dinjitet.

“Ju jeni deputetë me duar në xhepa. Jeni njerëz pa asnjë staf, çka e gjymton punën e parlamentit.
Pa staf për kontaktet me zgjedhësit dhe pa staf për mbështetjen e veprimtarisë në parlament. Ky është një parlament skeletik”, – deklaroi Berisha.

Ai solli një krahasim të drejtpërdrejtë me administratën shtetërore, duke theksuar se ndërsa në institucione të tjera paguhen mijëra punonjës, deputetët punojnë vetëm, pa asistentë dhe pa mundësi reale për të ndjekur me efikasitet punën legjislative.

“Kur sheh se jepen 220 mijë rroga në administratë dhe parlamentarët nuk kanë asnjë ndihmës, kjo është si ta përthash parlamentin.
Duhet të krijohen kushte që deputetët ta përmbushin me dinjitet profesionin e tyre”, – tha ai, duke shtuar se rritja e rrogave të deputetëve nuk ishte zgjidhja e duhur.

“Ishte e gabuar rritja e pagave. Jo se deputetët kanë rroga të larta, por shumë më e drejtë do të ishte investimi në staf profesional për të forcuar punën e Kuvendit”, – u shpreh Berisha.

Në fund të fjalës së tij, Berisha dha një mesazh të fuqishëm moral për të rinjtë e politikës, duke i paralajmëruar që të mos bëjnë kurrë kompromis me parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut, të cilat i quajti “vijat e kuqe të ndërgjegjes njerëzore”.

“Në çdo variant, kurrë nuk duhet të shkelmoni parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut duhet të jenë thelbi i ndërgjegjes njerëzore sot”, – theksoi ai.

Berisha solli edhe një shembull historik për të ilustruar rëndësinë e respektit ndaj besimeve dhe lirisë së tjetrit, duke përmendur figurën e Genghis Khanit.

“Kur dëgjoj njerëz që mburren me armiqësira ndaj besimit fetar të tjetrit, më kujtohet Genghis Khan, diktatori më mizor i kohërave, por që respektonte besimet fetare të njerëzve.
Edhe në kohën e pushtimeve, ai i respektonte bindjet e tyre”, – tha Berisha.

Duke përmbyllur, ai u bëri thirrje deputetëve që në çdo vendim apo veprim politik të mos kalojnë kufijtë moralë e ligjorë që i ndajnë ata nga abuzimi me pushtetin.

“Në momentin që bëjmë kompromis me liritë dhe të drejtat themelore, ne bëhemi njerëz të rrezikshëm me pushtetin tonë.
Në çdo hap, në çdo veprim e në çdo votim, këto duhet të jenë vijat e shenjta që nuk mund të preken”, – përfundoi Berisha.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat