Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi,komentoi zgjedhjen e Klodian Brahos në krye të SPAK, duke theksuar se rotacioni në drejtim të institucionit nuk përbën një ndryshim real në punën e tij.
Sipas Baçit, për sa kohë ekipi i prokurorëve mbetet i pandryshuar, drejtimi i ri nuk sjell risi apo ndryshim në qasje. Ai theksoi se ndërrimi i kreut është një proces standard, i parashikuar nga ligji, pasi mandati trevjeçar i Altin Dumanit kishte përfunduar pa mundësi riemërimi.
“SPAK mbetet i njëjti. Janë të njëjtët prokurorë, i njëjti ekip, të njëjtat dosje. Nuk ka si të ketë ndryshim vetëm nga rotacioni i drejtuesve”, deklaroi Baçi, i ftuar në A2 CNN, duke shtuar se roli i drejtuesit të prokurorisë është kryesisht administrativ dhe jo vendimmarrës në hetime.
Deputeti demokrat gjithashtu nënvizoi se nuk ka njohje personale me Klodian Brahon dhe se vlerësimi i tij për institucionin bazohet vetëm tek puna e bërë ndër vite. Ai shtoi se edhe shqyrtimi i dosjeve të mëparshme të trajtuara nga Braho nuk i jep arsye të besojë se do të ketë ndryshim në qasjen e SPAK.



