back to top
27.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Dështakët mblidhen nëpër dreka peshku”/ Sula 'shuplakë" lidershipit të PD

“Dështakët mblidhen nëpër dreka peshku”/ Sula ‘shuplakë” lidershipit të PD

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar pas deklaratës së kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, i cili pak ditë më parë kërkoi reforma të thella brenda strukturave të PD-së. Në një deklaratë publike, Sula vlerësoi qëndrimin e Qoses, duke e cilësuar si një sinjal të rëndësishëm që nuk duhet neglizhuar nga lidershipi demokrat.

“Më në fund, pas më shumë se dy muajsh, dikush nga të ‘preferuarit’ në PD doli publikisht për të kërkuar ndryshime të thella. Dhe e thënë nga Fisnik Qosja, kjo kërkesë ka vlerë edhe më domethënëse,” shkroi Sula.

Sipas tij, suksesi i Qoses në zgjedhjet vendore të 11 majit tregon se fitorja ndaj mazhorancës është e mundur, kur ekziston një alternativë reale dhe një angazhim i sinqertë.

“Fisnik Qosja është një i ri që theu mitin se mazhoranca nuk mundet me Ramën kryeministër. Ai tregoi se nuk mjafton farsa, por duhen ide, punë dhe përfaqësim i denjë,” shtoi deputeti demokrat.

Sula kritikoi ashpër kulturën politike që, sipas tij, ka dominuar PD-në në vitet e fundit, duke akuzuar drejtues të caktuar për pasivitet dhe për përdorimin e partisë për interesa personale.

“Në PD, mendimi më dritëshkurtër është se si të mbahet karrigia. Kjo parti duhet të shkëputet nga ata që nuk dinë të fitojnë, por dinë vetëm të ruajnë pozitat e tyre,” theksoi ai.

Ai bëri thirrje për një analizë të thellë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, dhe për një riorganizim të brendshëm që të vendosë në qendër të rinjtë dhe figurat me performancë konkrete.

“Postet drejtuese në PD duhet t’u jepen të rinjve që treguan se ekzistojnë dhe janë gati, por që nuk u lihet hapësirë. Nëse nuk ndodh kjo, PD rrezikon të bëhet një relike e së shkuarës,” paralajmëroi Sula.

Ai sulmoi ashpër ata që i quajti “humbës serialë”, duke i akuzuar se po organizohen në prapaskenë për të sabotuar çdo përpjekje për reformim dhe për të margjinalizuar të rinjtë me ide të reja.

“Fatkeqësisht, dështakët mblidhen nëpër dreka peshku për të thurur kulisa dhe për të penguar analizën reale të humbjeve. Ky është rreziku më i madh sot për PD-në,” përfundon deklaratën e tij Dashnor Sula.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat