back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 6 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetPërplasje për pronat në Rrjoll/ Dhunohet djali i ish-drejtorit të Kadastrës

Përplasje për pronat në Rrjoll/ Dhunohet djali i ish-drejtorit të Kadastrës

Një konflikt i gjatë për pronësinë e tokave në zonën e Rrjoll ka degjeneruar në dhunë fizike mes palëve, duke lënë disa persona të lënduar dhe duke përfshirë në përplasje ish-drejtorin e Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, si dhe përfaqësues të banorëve të zonës.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë ambienteve të TV Klan, ku Shpellzaj ishte i ftuar në emisionin Opinion për të diskutuar pikërisht çështjen e pronave në Rrjoll.

Sipas një reagimi publik të bërë nga Shpellzaj, djali i tij dhe një mik që e shoqëronte janë sulmuar fizikisht nga disa banorë të zonës. Ai pretendon se të dy të rinjtë janë dhunuar rëndë dhe si pasojë kanë përfunduar në spital me fraktura.

“Sapo dola nga Spitali i Traumës, ku për orë të tëra kam qëndruar pranë tim biri, i cili u masakrua brutalisht nga një tufë njerëzish që në vend të dokumenteve kanë në dorë vetëm dhunën”, shkruan Shpellzaj në reagimin e tij.

Ai thotë se djali i tij kishte shkuar pranë studios televizive vetëm për ta shoqëruar dhe se është sulmuar nga një grup personash. Sipas tij, të dy të rinjtë u dërguan fillimisht për mjekim në Spitali Universitar Nënë Tereza dhe më pas në Spitali i Traumës për trajtim më të specializuar.

Shpellzaj pretendon gjithashtu se persona të përfshirë në konflikt kanë kërcënuar edhe avokaten e tij dhe i ka bërë thirrje Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Shqipërisë që të reagojnë dhe të zbardhin ngjarjen.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i banorëve të Rrjollit, Prekë Molla, ka mohuar versionin e dhënë nga Shpellzaj dhe ka paraqitur një tjetër rrëfim për ngjarjen.

Sipas Mollës, djali i ish-zyrtarit ka provokuar fillimisht situatën duke e përplasur me sup dhe më pas është rikthyer i shoqëruar nga rreth 10-15 persona, të cilët sipas tij kanë sulmuar banorët.

Ai pretendon se disa prej tyre ishin të armatosur dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli, gjë që ka nxitur reagimin e banorëve të tjerë të pranishëm. Molla ka deklaruar se nga përplasja kanë mbetur të lënduar disa persona dhe ka akuzuar djalin e Shpellzajt për kërcënime.

Përfaqësuesi i banorëve ka publikuar edhe një fotografi të automjetit të tij me xhamin e përparmë të thyer, duke pretenduar se dëmtimi është shkaktuar nga djali i Shpellzajt dhe personat që e shoqëronin.

Konflikti për pronën në Rrjoll vijon prej më shumë se një muaji dhe ka shkaktuar tensione të vazhdueshme mes banorëve të zonës, forcave të policisë dhe biznesmenit Bashkim Ulaj. Banorët pretendojnë se u janë falsifikuar dokumentet e pronësisë dhe se tokat e tyre janë kaluar në favor të kompanisë ndërtuese Gener 2 për ndërtimin e një resorti turistik luksoz.

Nga ana e tij, Shpellzaj i ka mohuar këto akuza dhe ka deklaruar se posedon dokumente ligjore që, sipas tij, vërtetojnë të drejtën mbi pronën.

Ndërkohë, ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme është duke u hetuar nga policia. Palët e përfshira janë shoqëruar në komisariat dhe po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të përplasjes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat