Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me gratë dhe vajzat nga i gjithë vendi me rastin e 8 Marsit, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Rama ka theksuar se pas hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nuk do të ketë më aq shumë rëndësi kush qeveris, por për momentin, fokusi është te lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi.
“Kur ne të hyjmë në BE nuk do të ketë më aq shumë rëndësi se kush qeveris këtu, por për momentin është themelore.
Ne sot jemi në një situatë ku në Shqipëri po ndodh diçka që nuk ka ndodhur më parë, ndaj krijohet zhurmë dhe këneta shpërthen sa herë që lufta kundër korrupsionit drejtohet ndaj dikujt të lidhur me pushtetin e PS, por duhet vetëm shumë pak distancë e qetësi e arsyetim për të kuptuar që gjithçka që po ndodh është vepër e PS, nuk ka ndodhur më parë që nga 1912.
Po ndodh sot sepse PS me vendosmëri bëri një reformë në drejtësi që nuk e ka bërë ende asnjë në rajon. Kur morëm detyrën ishim të fundit në trenin për në BE, ku janë tani ata? Ne jemi lokomotiva! Vendosëm të dorëzojmë tek drejtësia shpatën e ndëshkimit që më parë e kishte qeveria”, tha ai.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se do të vijojë “pastrimi” i shtëpisë socialiste nga ata që përpiqen të shfrytëzojnë pushtetin.
“Njësoj si ju që kujdeseni për pastrimin e shtëpisë edhe ne në mënyrë të vazhdueshme do pastrojmë shtëpinë tonë e do ta bëjmë vendin që kushdo që do të hajë të tjerët pas shpine të largohet nga shtëpia e të shkojë aty ku e meriton”, tha ai.