Në fjalën e tij para Asamblesë Socialiste, kryeministri Edi Rama vuri para deputetëve të rinj socialistë një pyetje sfiduese: “Doni të rrini vërdallë 4 vjet, apo që kjo rrugë të zgjatet përtej një mandati?”
Rama theksoi se mandati i katërt që shqiptarët i dhanë socialistëve është një mundësi për të sjellë një qasje të re ndaj problemeve të vjetra dhe sfidave të reja. “Na duhet syri i atij që e ka ngarkuar për ta bërë punën si duhet dhe një vullnet i ri për të nxjerrë nga vetja një vete të re. Nuk na mjafton një grup i ri parlamentar për të bërë disa ligje të reja apo një qeveri e re, na duhet një qasje e re ndaj problemeve të vjetra dhe sfidave të reja,” tha Rama.
Kryeministri shtoi se mandati i katërt kërkon një “skuadër kampione”, me energji, ide dhe aftësi të reja, dhe me disiplinën dhe ambicien e një grupi që funksionon si familje politike. Ai nënvizoi se ky mandat do të kërkojë një “makineri të pandalshme reformash, projektesh, punësh, inovacionesh dhe thithje burimesh njerëzore brenda dhe jashtë vendit.”
“Po të thosha nga këndvështrimi i një opozitari, krejt ndryshe nga ata që bëjnë opozitë pa sukses, këtu ka shokë e shoqe të një rrugë të gjatë. Kush nuk është gati ta përdorë pasqyrën ku shikon veten si pjesë e familjes tonë me një sy kritik, kërkues e sfidues, duhet ta stërvisë fort veten, pa humbur kohë,” përfundoi kryeministri.
Rama u bëri thirrje socialistëve të rinj të ruajnë energjinë, disiplinën dhe ambicien për të bërë mandatin e katërt të suksesshëm, duke parë çdo gjë si një mundësi për përmirësim dhe rritje të performancës.



