Kryeministri Edi Rama deklaroi se presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është kërcënuar pasi, sipas tij, nuk lejoi prokurorët të hynin në zyrën e institucionit të Presidentit për të kërkuar prova për krime kundër njerëzimit.
Deklaratat Rama i bëri gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” të Ahmet Shala, akademik dhe ish-ambasador i Kosovës.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, prokurorët kishin kërkuar të kontrollonin zyrën e Presidencës së Kosovës.
“Presidentja e Kosovës është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, se me demek do kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit. Kërcënimi ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, Rama foli edhe për proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se, sipas tij, nuk ka lidhje mes aktivitetit të tyre dhe akuzave për terror, pastrim etnik apo krime ndaj civilëve.
Ai shtoi se krijimi i gjykatës speciale u votua nga vetë institucionet e Kosovës, por theksoi se zhvillimet e mëvonshme kanë marrë një drejtim të padrejtë.
Rama deklaroi gjithashtu se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili po përballet me drejtësinë në Hagë, është “marrë peng” që nga momenti kur u nis drejt SHBA-së, duke sugjeruar se ndaj tij ekziston një plan i hershëm politik që lidhet me raportin e Dick Marty për trafik organesh dhe rezolutën e Këshilli i Evropës.



