Deputeti i Partisë Demokratike dhe drejtuesi politik i qarkut Vlorë, Bujar Leskaj, ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i tij politik, duke i hapur rrugë, siç shprehet vetë, një procesi të thellë reflektimi dhe rinovimi brenda PD-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Leskaj deklaron se Partia Demokratike ka nevojë për një analizë të thellë të humbjes në zgjedhjet e fundit dhe për një “ristrukturim në çdo qelizë, deri te kryetari”.
Sipas tij, humbja duhet të shërbejë si moment reflektimi për të gjithë strukturat, drejtuesit politikë dhe kandidatët, në mënyrë që të kuptohet “pse dhe ku gaboi partia në raport me qytetarët”.
“PD duhet të fillojë një analizë të thellë të brendshme për humbjen e zgjedhjeve, për të kuptuar pse dhe ku gabuam të gjithë ne, drejtuesit politik, drejtuesit e degëve dhe kandidatët për deputet. Duhet një reflektim i sinqertë dhe një planifikim i qartë për të korrigjuar gabimet e bëra,” – shkruan Leskaj.
Deputeti demokrat ka propozuar gjithashtu që deputetët e zgjedhur nga listat e mbyllura të ndajnë mandatin me kandidatët e listave të hapura, në mënyrë që PD të hapet dhe të sjellë frymë të re politike.
“Pas dy vitesh, do të lë mandatin tim të deputetit te kandidati pasardhës në listë, për të inkurajuar të rinjtë dhe për të sjellë një frymë të re në politikë,” – deklaron Leskaj.
Ai shton se kjo formulë duhet të ndiqet nga të gjithë deputetët aktualë, pasi “do ta bëjë Partinë Demokratike më të fortë, më të hapur dhe më të shëndetshme për të ardhmen.”
Leskaj thekson gjithashtu se ndryshimi i drejtuesve politikë nuk duhet parë si një veprim formal, por si një proces i thellë rinovimi që sjell progres për partinë dhe shoqërinë.
“Analiza e zgjedhjeve, pas raportit të OSBE/ODIHR dhe denoncimeve për farsën zgjedhore, duhet të nisë nga drejtuesit politikë që humbën në qarqet e tyre. Këta drejtues duhet të japin dorëheqje ose të zëvendësohen me të rinj,” – shton ai.
Leskaj bën të ditur se dorëheqjen e tij si drejtues politik në qarkun e Vlorës ia ka dorëzuar që në maj 2025 kryetarit të PD-së, Sali Berisha, menjëherë pas zgjedhjeve.
Ky reagim i tij vjen në një moment kur Kryesia e PD pritet të mblidhet për të diskutuar riorganizimin e partisë, zgjedhjet e pjesshme lokale dhe aksionin opozitar në vijim, ku nuk përjashtohet as thirrja e një proteste kombëtare.



