Deputeti i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar lidhur me dosjen me 16 mijë faqe që lidhet me zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke kërkuar që ajo të bëhet publike.
Në një deklaratë për mediat, Shehaj u shpreh se anëtarët e Këshillit të Mandateve duhet të veprojnë në interes të qytetarëve, edhe nëse kjo nënkupton shkeljen e ligjit.
“Anëtarët e Këshillit të Mandateve duhet të shkelin ligjin dhe të bëjnë publike dosjen me 16 mijë faqe për Ballukun. Deputetët duhet ta shkelin ligjin në këtë rast, në interes të qytetarëve. Nuk mund të presim që Rama të lejojë arrestimin e Ballukut sepse ai nuk ka për ta bërë kurrë”, deklaroi Shehaj.
Ai theksoi se transparenca dhe informacioni publik mbi këtë dosje janë të domosdoshme për qytetarët dhe për mbajtjen e përgjegjësisë së figurave publike.



