Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 12 vite burg Astrit Balliun, i njohur edhe si Avdyli dhe Sulejmani, në kuadër të dosjes 339, e njohur ndryshe si operacioni “Volvo 4”.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte kërkuar gjykimin e çështjes, i cili u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin nr. 13, datë 11 shkurt 2026, e shpalli Balliun fajtor për disa vepra penale.
Ai u shpall fajtor për “Trafikimin e narkotikëve” në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, duke u dënuar me 12 vite burgim.
Gjithashtu, Balliu u shpall fajtor për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” (3 vite burg) dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” (5 vite burg). Në bashkim të dënimeve, gjykata vendosi 12 vite burgim përfundimtar, që do të fillojë nga dita e arrestimit dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Gjykata vendosi gjithashtu që arma pistoletë e sekuestruar, me mbishkrimin “WALTER-P.P.Q – Made in Germany”, të kalojë në favor të shtetit.
Ky vendim lidhet me hetimet e dosjes 339 dhe operacionin “Volvo 4”, gjatë të cilit u zbulua një laborator droge në Has.



