Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur këtë të enjte të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të çuar për gjykim ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, SPAK kishte depozituar më 21 dhjetor 2023 kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr. 154, të vitit 2022, në ngarkim të Ahmetajt, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Seanca paraprake u zhvillua më 25 korrik 2025 dhe trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela vendosi:
Pranimin e kërkesës së SPAK për çuarjen e çështjes në gjykim;
Dërgimin për gjykim të procedimit penal ndaj Arben Ahmetajt;
Formimin e fashikullit të gjykimit që përfshin aktet hetimore dhe ato të seancës paraprake;
Depozitimin e vendimit dhe fashikullit të gjykimit në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme, brenda 10 ditëve nga shpallja;
Vendimi nuk lejon ankimim.
Me këtë vendim, procesi ndaj një prej ish-figurave më të larta të qeverisë shqiptare kalon në fazën e gjykimit për çështjen e themelit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse seanca do të zhvillohet me një procedurë të zakonshme apo të shkurtuar.