Monika Kryemadhi, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e SPAK për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Në një komunikim të shkurtër me gazetarët, Kryemadhi hodhi akuza për shpërdorim detyre dhe intimidim ndaj dëshmitarëve, duke theksuar se SPAK ka tejkaluar kompetencat dhe ka përdorur hetimet për të marrë informacion mbi biznese të ndryshme.
“Shoh shpërdorim të detyrës dhe tejkalim kompetencash përveç diskriminim dhe intimidim ndaj dëshmitarëve… të gjitha këto janë gjëra që SPAK i ka përdorur për të marrë informacione ndaj bizneseve të ndryshme dhe i shoh si tejkalim të detyrës për të ushtruar intimidim ndaj bizneseve”, deklaroi Kryemadhi.
Kryemadhi po hetohet nga SPAK për tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish, në lidhje me dosjen CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Në kuadër të së njëjtës dosje, po hetohet edhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli pas vendimit të Gjykatës për masën e sigurisë “arrest me burg”. Kryemadhi dhe Meta janë aktualisht në proces divorci.