Etleva Skonja
Një emër i panjohur për publikun e gjerë, por me peshë në strukturat e sigurisë së vendit, sot ndodhet nën akuzë. Aleksandër Shulla, ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit në Berat, është në qendër të një dosjeje penale ku akuzat përfshijnë lojëra fati të paligjshme, municione të gjetura në banesë dhe ruajtjen e dokumenteve të klasifikuara si sekret shtetëror.
Nga drejtimi i Shërbimit Informativ tek hetimet penale
Shulla shërbeu deri në nëntor të vitit 2023 si kreu i SHISH-it në Berat. Pas largimit nga detyra, emri i tij u lidh menjëherë me një hetim që nisi pas një kontrolli në një lokal në lagjen “30 Vjetori”, të administruar nga djali i tij, Pandeli Shulla. Aty u konstatuan kompjuterë të ndezur me lojëra online që imitonin platformat e kazinove.
Hetimet çuan më tej, në banesën e Shullës, ku policia gjeti krëhëra të mbushur me fishekë kalibri 7.62 mm dhe dy USB. Aty nisi pjesa më delikate e dosjes. Ne pajisjet elektronike rezultuan materiale të klasifikuara si sekrete shtetërore, që sipas ligjit administrohen vetëm në një kopje brenda SHISH dhe nuk lejohen të ruhen jashtë.
Versioni i Shullës dhe provat e prokurorisë
Vetë ish-drejtori i SHISH-it ka deklaruar se fishekët i kishte marrë si “suvenir” nga godina e vjetër e ShIK-ut dhe i kishte harruar në banesë. Por prokuroria ka rrëzuar pretendimin e tij, duke theksuar se armët dhe municionet rezultojnë të dorëzuara zyrtarisht, ndërsa praninë e tyre në shtëpinë e Shullës e konsideron mbajtje pa leje.
Më e rëndë mbetet akuza për dokumentet sekrete. Prokuroria e Beratit thotë se dy materialet e gjetura në USB-të e sekuestruara janë të klasifikuara dhe administrohen në kopje të vetme brenda SHISH. Kopjimi dhe shumëfishimi i tyre është i ndaluar, ndërsa ruajtja në banesën e një ish-zyrtari konsiderohet shkelje e sigurisë së informacionit të klasifikuar.
Dosja në gjykatë
Pas një viti hetimesh, prokuroria konkludoi se ekzistojnë prova të mjaftueshme për të çuar Aleksandër Shullën dhe djalin e tij përpara gjykatës.
Pandeli Shulla akuzohet për organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.
Aleksander Shulla do të përballet me akuzat për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit si dhe për tregim të sekretit shtetëror nga personi që i është besuar.
Një profil pa skandale, derisa erdhi dosja e vitit 2023
Përtej këtij rasti, emri i Aleksandër Shullës nuk ka dalë kurrë më parë në media. Nuk rezulton i lidhur me çështje të tjera skandaloze, as me aferat e njohura të SHISH-it në Tiranë. Karriera e tij ka qenë larg syrit të publikut, deri në momentin kur hetimi i prokurorisë së Beratit e nxori në qendër të vëmendjes.
Tani, ish-kreu i SHISH-it në Berat është përballë akuzave që mund të shënojnë jo vetëm rënien e tij personale, por edhe një tjetër goditje për imazhin e institucioneve të sigurisë në vend.
Skandal në Berat/ Ish-drejtori i SHISH kapet me dokumente sekrete dhe municion në shtëpi



