Ish-deputetja Monika Kryemadhi reagoi pas shtyrjes së seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumani, për vonesa në hetimin e bandave në Durrës dhe për përdorimin politik të dosjes pas zgjedhjeve.
Kryemadhi kritikoi gjithashtu deputetët opozitarë në Kuvend, duke u bërë thirrje të mos fokusohen te “ministrja virtuale Diella”, por të denoncojnë kryeprokurorin për mosveprim.
“Zoti Dumani, kur u bë kryeprokuror, për gazetarët dhe parlamentarët opozitarë që harxhojnë kohën me Diellën dhe bëjnë lojën e Edi Ramës: Sa kg drogë është kapur në Portin e Durrësit? Zero! Vendimi i Gjykatës së Antimafias për arrestimin e bandës së fortë të Durrësit, që duhej ekzekutuar në shkurt, u mbajt tre muaj në zyrat e SPAK, më pas u përdorën zgjedhjet për të nxjerrë rezultatet dhe më pas grupet kriminale u përdorën nga Task Forca e SPAK. Kjo duhet të denoncojë opozita, jo të merret me gjëra personale,” deklaroi Kryemadhi.
Ajo paralajmëroi se do të ndjekë hap pas hapi procesin gjyqësor dhe do të vijojë të reagojë publikisht për çdo zhvillim të dosjes.