Grupi i trafikimit të kokainës me lëkurën e kafshëve nga Republika Dominikane mund të ketë ekstraktuar drogë në laboratorë edhe për llogari të grupeve të tjera kriminale. Kush është kolumbiani i arrestuar nga SPAK, me pseudonimin “Gafas”, që kërkohet edhe në vendlindjen e tij nga autoritetet?
Kolumbiani i arrestuar nga SPAK si pjesë e grupit që trafikoi kokainë përmes lëkurëve të kafshëve nga Republika Dominikane, kishte 1 vit që qëndronte në Shqipëri. Për më tepër, Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se Hiëelenn Ledezma Narvaez, i njohur edhe me pseudonimin “Gafas”, është i shpallur në kërkim nga autoritetet kolumbiane si lider i një grupi kriminal të trafikut të kokainës. Ai i kishte shpëtuar operacionit policor “Pacifico”, në nëntor të vitit 2023, ku në Kolumbi u arrestua edhe shtetasi shqiptar Klodian Zaimi, që rezulton se është djali i dajës së Artjon Çaushllarit, i arrestuar nga SPAK 3 javë më parë si një nga financuesit e tentativës së trafikimit.
Për lëkurat e kafshëve në Republikën Dominikane, Prokuroria e Posaçme ka evidentuar se janë paguar 40 mijë dollarë amerikanë, ndërsa është dokumentuar udhëtimi dhe qëndrimi në këtë shtet i të arrestuarit tjetër Aldi Zonja. Nga vëzhgimi disa mujor në terren, SPAK ka ngritur dyshime se ky grup mund të ketë ndihmuar edhe grupe të tjera për të ekstraktuar kokainë në zona të tjera të vendit, në laboratorë të improvizuar, shkruan Euronews Albania.
Në një rast në maj të këtij viti, kolumbiani “Gafas” ka qëndruar për disa orë në një vilë në një fshat të Pogradecit, i shoqëruar nga Artjon Çaushllari dhe Klajdi Birçe, të dy të arrestuar, ku dyshohet se kanë nxjerrë një sasi kokaine. Në këtë rast, agjentët nuk kanë ndërhyrë pasi operacioni mund të dekonspirohej.