Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar të gjitha kërkesat e të pandehurve për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave në dosjen “Meta”.
Gjyqtarja Irena Gjoka bëri të ditur se hapi i radhës është vendimmarrja nëse çështja do të kalojë për gjykim në themel. Në këtë dosje janë të përfshirë pesë të pandehur, mes tyre Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Pas përfundimit të seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, e cilësoi procesin si të politizuar, duke akuzuar gjykatën për mosmarrje në konsideratë të kërkesave të mbrojtjes.
“Gjykata konstatoi se hetimet janë të paplota, por nuk pranoi kërkesat tona dhe e kaloi çështjen për gjykim, duke thënë se këto zgjidhen në themel. Gjykata e themelit do të bëjë edhe prokurorin edhe gjykatësin. Sot ka përfunduar çështja ligjore dhe fillon çështja politike,” u shpreh ai.
Sipas avokatit, procesi ka zgjatur prej muajsh dhe është shoqëruar me shkelje procedurale, duke e cilësuar atë një “procedurë koti”.
Vendimi i GJKKO hap rrugën për fazën e gjykimit në themel, ku pritet të shqyrtohen në detaje akuzat dhe provat ndaj të pandehurve.



