Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot lidhur me zhvillimet e fundit në dosjen “Partizani”, duke ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës nga ana e gjykatës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se as ai dhe as trupa mbrojtëse nuk janë vënë në dijeni të vendimit që ka çuar çështjen për gjykim.
“Së pari, komenti im është vetëm ky: personalisht ne të interesuarit dhe trupa e mbrojtjes nuk kemi gjer më sot në dorë vendimin e marrë nga gjykatësja që ka dërguar çështjen për gjykim. Nuk kemi vendimin,” u shpreh Berisha me tone të forta.
Ai shtoi se kjo situatë është e papranueshme dhe përbën një tjetër shembull të funksionimit të sistemit të drejtësisë në vend.
“A mund të imagjinoni ju? Edhe kjo ndodh,” tha ai, duke lënë të kuptohet se vendimi i gjykatëses është marrë pa transparencë ndaj palës së mbrojtjes.
Në fund të prononcimit të tij, Berisha bëri të ditur se hapat e mëtejshëm do të përcaktohen nga konsulta me avokatët, duke nënvizuar se kjo çështje do të trajtohet seriozisht jashtë sallës së deklaratave publike.