Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit paraditen e kësaj të hëne në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Partizani”.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha foli për mediat, duke u ndalur kryesisht te operacioni i fundit i SPAK ndaj një call center-i në Tiranë, për të cilin deklaroi se ishte dekonspiruar paraprakisht.
Sipas tij, call center-i i goditur ishte i përfshirë në mashtrime financiare në shkallë të gjerë ndaj qytetarëve evropianë, duke vjedhur rreth 30 milionë euro në muaj. Berisha tha se aktiviteti drejtohej nga persona të lidhur me krimin e organizuar dhe se operacioni ishte rezultat i një hetimi dyvjeçar.
“Bëhej fjalë për një call center forex, që sipas hetimeve vidhte të paktën 30 milionë euro në muaj me mashtrim. Kur forcat shkuan për kontroll, ambientet ishin boshatisur, kompjuterët ishin larguar, çka tregon se operacioni ishte dekonspiruar”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu policinë se, sipas tij, mbyll sytë ndaj kësaj veprimtarie kriminale në këmbim të pagesave, duke e cilësuar situatën si të ngjashme me periudhën e kultivimit masiv të kanabisit.
Ai shtoi se në Shqipëri hetimet e rëndësishme dekonspirohen vazhdimisht dhe se është e pamundur të përfundojë një operacion serioz kundër krimit të organizuar.
“Ky është një nga tregjet më kriminale në Evropë. Janë qindra qendra që mashtronin qytetarë të huaj ditë e natë. Shqipëria është bërë vend ku çdo hetim dekonspirohet”, tha Berisha.
SPAK dhe Policia e Shtetit nuk kanë reaguar ende zyrtarisht lidhur me deklaratat e Berishës.



