Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e paraqitur nga Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për të.
Malltezi, i cili është marrë i pandehur në kuadër të hetimeve për aferën e njohur si “Dosja Partizani”, kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, duke pretenduar se nuk qëndrojnë më arsyet për kufizimin e lirisë së tij. Por kërkesa është rrëzuar nga trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë, e cila nuk ka gjetur shkelje në vendimin e mëparshëm të dhënë nga Apeli i Posaçëm.
Hetimet ndaj Malltezit, që po ndiqen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), lidhen me privatizimin dhe zhvillimin e kompleksit të ish-klubit sportiv “Partizani” në Tiranë, një proces që ka ngritur dyshime të forta për përfitime të padrejta dhe konflikt interesi.
Masa “arrest në shtëpi” për Malltezin u caktua që në tetor 2023 dhe është kundërshtuar disa herë nga ai dhe mbrojtja e tij, me pretendimin se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për vazhdimin e saj.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë konsiderohet një tjetër konfirmim i qëndrimit të drejtësisë për të mos ndryshuar masën ndaj një prej personave kyç në hetimin e shumëpërfolur që përfshin dhe figura të tjera të larta politike.