Seanca e rradhës lidhur me dosjen “Partizani” në GJKKO do të zhvillohet në 6 janar. Sot në GJKKO u mbajt seanca paraprake lidhur me dosjen “Partizani”, ndërsa Gjykata do të vendosë nëse kjo çështjes do të kalojë për shqyrtim, do të kthehet për hetime të mëtëjshme në Prokurorinë Speciale, apo do të mbyllet.
Gjyqtarja e seancës paraprake është Flojera Davidhi, ndërsa për dosjen në fjalë Prokuroria ka përfshirë si të pandehur ish-Kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja si dhe Andia Pustina.
SPAK e akuzon ish-kryeministrin Berisha se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Ndërkohë sot në Apelin e GJKKO, SPAK ka apeluar vendimin e 27 nëntorit dhënë nga shkalla e parë e Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që i hoqi ish-Kryeministrit Sali Berisha masat e sigurisë, më konkretisht atë të “arrest shtëpie”. Në kërkesën e depozituar në Apel, SPAK kërkon rikthimin e ish-Kryeministrit në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Te pandehurit e Dosjes ‘Partizani’
Sali Berisha ish kryeministri – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe per “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ‘pastrim parash’
Xhimi Begeja– Ortaku i Malltezit, trashegimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzohet për ‘Pastrim Parash’
Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për ‘Pastrim Parash’