back to top
19.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaDosjet hetimore “mbysin” Prokurorinë/ Olsian Çela zbardh bashkëpunimin me SPAK-un dhe problematikat

Dosjet hetimore “mbysin” Prokurorinë/ Olsian Çela zbardh bashkëpunimin me SPAK-un dhe problematikat

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela raportoi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë në lidhje me punën e bërë gjatë vitit 2024.

Ai u shpreh se 2024 ishte një vit jo i lehtë për shkak të numrit të ulët të prokurorëve dhe ngarkesës së madhe.

Megjithatë ka vlerësuar se koordinimi institucional me SPAK dhe policinë dhanë rezultat në zbatimin e drejtësisë penale.

Ai ka theksuar se një bashkëpunim i frytshëm ka qenë ai më Prokurorinë e Posaçme, ku nënvizoi se gjatë vitit që kaloi drejt kësaj prokurorie u transferuan për kompetencë 61 referime/procedime penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Çela ka renditur edhe objektivat në lidhje me vitin 2025. Mes të cilave përmendi rriten e eficecës për bashkërendimin ndërinstitucional.

Fjala e plotë e kryeprokurorit Olsian Çela:

 E nderuar zonja kryetare,

Të nderuar zonja e zotërinj anëtarë,

Në mbështetje të nenit 105, pika 2, të ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ju parashtroj ecurinë e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm për vitin 2024.

Viti 2024 ishte një vit me vështirësi jo të pakta për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, e më tej intensifikimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale,

Gjatë vitit 2024 vlerësoj se janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, kjo në sajë edhe të masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre. Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Kështu, ndër këto masa veçojmë:

  • Ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet detajimit në planin e veprimit
  • Ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave “Për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2024” nëpërmjet, miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm si dhe të planit të veprimit me aktivitete të qarta për zbatimin e rekomandimeve prioritare.
  • Ndjekjen e objektivave prioritare institucionale në luftën kundër kriminalitetit, ku fokus të veçantë në vitin 2024 mori konsolidimi i procesit hetimor nëpërmjet një kuadri ligjor sa më të plotë e në përputhje me standardet ndërkombëtare, vijimi i punës për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme, vijimi i  punës për digjitalizimin, hetimi efektiv dhe krijimi i një baze të dhënash të rasteve të pastrimit të parave, monitorimi i veprimtarisë së policisë gjyqësore, bashkërendimi me institucione të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, forcimi i kapaciteteve institucionale, etj;
  • Përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit, ku Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar pjesëmarrje aktive në nivel drejtues dhe teknik në takimet periodike, ka kontribuar me informacion analitik mbi zhvillimet institucionale në luftën ndaj kriminalitetit dhe mbrojtjen e drejtave të njeriut për hartimin e Progres Raportit të Shqipërisë, për Nënkomitetin e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë, Udhërrëfyesit të shtetit të së Drejtës, si dhe ka vijuar bashkëpunimin dinamik me ministritë përgjegjëse për kapitujt 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”;
  • Një kontribut i rëndësishëm i institucionit tonë ka qenë ai në kuadër të hartimit e ndjekjes periodike të ecurisë së masave të strategjive ndërsektoriale dhe planeve të tyre të veprimit si: Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, Strategjisë së Drejtësisë për të Mitur, Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar dhe planit të veprimit kundër trafikimit të personave, Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, etj.

Kuadri nënligjor 2024

Udhëzime të përgjithshme dhe akte me rëndësi në aspektin organizativ dhe funksional të miratuara në vitin 2024 përmendim:

  • Udhëzimi i Përgjithshëm nr. 6/2024 “Për hetimin dhe ndjekjen penale efektive të veprave penale kundër trafikimit të personave
  • Udhëzimi i Përgjithshëm nr. 7/2024 “Për masat e sigurimit”, nëpërmjet të cilit u dhanë drejtime të qarta për prokurorët e prokurorive pranë gjykatave me juridiksion të përgjithshëm për zbatimin e standardeve ligjore që balancojnë nevojën për siguri të personit dhe publikut dhe efektivitetin e ndjekjes penale, me domosdoshmërinë për të respektuar të drejtat e njeriut. Po kështu u udhëzua mbi masa alternative, diligjencë në hetim e monitorim të afateve. Në këtë udhëzim ju dha një rëndësi e posaçme reagimit proaktiv në rastet e konstatimit të dhunës në paraburgim ku u udhëzua regjistrimi i procedimeve ex officio dhe hetim i paanshëm;
  • Udhëzim i Përgjithshëm nr. 4/2024, “Për zbatimin e ligjit nr. 33/2024 ‘Për dhënie amnistie’”,
  • Udhëzim i Përgjithshëm nr. 5/2024 “Për rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2024 në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm”;
  • Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë dhe Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, nënshkruar në datën 7.11.2024, e cila zëvendëson marrëveshjen e mëparshme të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë dhe Prokurorisë Federale të Belgjikës, të nënshkruar në Bruksel më 10 maj 2011 dhe ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit ekzistues në nivel strukturor, për të përmirësuar mirëkuptimin e ndërsjellë të palëve përmes shkëmbimit të informacionit për sistemet ligjore, praktikat e mira të njëri-tjetrit dhe për të nxitur bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet të dy institucioneve brenda fushës përkatëse të kompetencës, për çështjet penale të krimeve të rënda, trafikimin e paligjshëm dhe pastrimin e parave. Në frymën e kësaj marrëveshjeje është rënë dakord të monitorohet në vazhdimësi ekzekutimi i kërkesave për ndihmë juridike;
  • Marrëveshje Bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme “Për ekspertimin e farërave dhe fidanëve të rinj të bimëve narkotike të sekuestruara”, datë 01.03.2024 nëpërmjet së cilës përcaktohet mënyra e bashkëpunimit mes organeve përgjegjëse për kryerjen e ekspertimit të farërave dhe fidanëve të rinj, të bimëve të dyshuara narkotike duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen nga çdo dëmtim apo abuzim në administrimin e tyre;
  • Qarkore nr. 1355 prot., datë 22.10.2024 përmes së cilës udhëzohet trajtimi nga prokurorët i sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave si prioritet, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së medias;
  • Qarkore nr. 207, datë 07.02.2024 dhe nr. 122/1, datë 26.07.2024, ku trajtohen problematikat e konstatuara në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe udhëzohen prokurorët për marrjen e masave për sigurimin e standardeve procedurale për procesin e rregullt ligjor;
  • Qarkore nr. 862/1 prot., datë 18.07.2024 përmes së cilës është kërkuar hetim i plotë e i gjithanshëm për aksidentet rrugore dhe atyre të lidhura me rrjetin elektrik dhe janë dhënë orientime për mjetet e kërkimit të provës të nevojshme për ushtrimin efektiv të ndjekjes penale por edhe interesave/përgjegjësive të tjera që lindin nga këto çështje për viktimën, palët apo organin shtetëror të përfshirë;
  • Qarkore nr. 645/1 prot., datë 30.07.2024 përmes së cilës janë përcjellë për zbatim në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm rekomandimet e Komitetit të OKB-së për Eleminimin e Diskriminimit Racor ku është kërkuar trajtimi me kujdes i materialeve referuese në këtë fushë dhe sigurimi i të drejtave të viktimave;
  • Qarkore nr. 1398/1 prot., datë 04.12.2024 përmes së cilës kërkohet marrja e masave për të garantuar të drejtën e viktimës për informacion për gjendjen e procedimit, disponimin mbi kërkesat e palëve dhe garantimin e plotshmërisë së hetimeve dhe respektimit të afateve procedurale, në përputhje me kuadrin normativ në këtë fushë, si dhe me rekomandimet për përmbushjen e rolit të prokurorit në lidhje me të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve në procesin penal;
  • Qarkore nr. 622/1 prot., datë 12.12.2024 “Mbi vonesat në ushtrimin e ndjekjes penale”, ku kërkohet nga drejtuesit, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore organizim efiçent i punës dhe rritje e diligjencës në hetim, me qëllim kryerjen e hetimeve të plota, sigurimin e kohëzgjatjes së arsyeshme të procesit dhe shmangien e vonesave që rrezikojnë të çojnë në parashkrimin e ndjekjes penale.
  • Veprimtaria e prokurorive të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm

Në funksion të ruajtjes së nivelit të efektivitetit në veprimtarinë administrative e funksionale të prokurorive, garantimin e paanshmërisë dhe shpërndarjen e ekuilibruar të volumit të punës me urdhrat nr. 18, datë 30.01.2024 dhe nr. 19, datë 30.01.2024, të Prokurorit të Përgjithshëm, janë caktuar strukturat organike të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme.  

Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasur me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike).

Gjatë vitit 2024, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë trajtuar 61091 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 10,5 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur 47501 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,8 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat 24921 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 3,4 % në krahasim me vitin 2023 dhe 179 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 10,9 % në krahasim me vitin 2023. Janë mbartur 22401 procedime penale me një rritje prej 6,6 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2023. Është vendosur mosfillimi për 13590 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një rritje prej 36,6 % në krahasim me vitin 2023.

Gjatë vitit 2024 janë përfunduar 24591 çështje që përbën rritje prej 5 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2023, prej të cilave: 36,72 % janë dërguar për gjykim, 33,89 % janë pushuar, 26,91 % janë pezulluar dhe 2,48 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.

Janë dërguar në gjykatë 9030 çështje me akuzë ndaj 10759 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2023 rezulton një ulje prej 6,44 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5,63 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë.

Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2024 janë dënuar 10001 të pandehur që krahasuar me vitin 2023 përbën rritje 37,87 % të numrit të pandehurve të dënuar dhe për 265 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm.

Performanca e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë

Të dhënat me numrin e procedimeve të regjistruara për secilën prokurori pranë gjykatave të shkallës së parë përgjatë vitit 2024, paraqiten si më poshtë:

Analiza në përqindje e çështjeve të përfunduara në procedimet e regjistruara në secilën prokurori për vitin 2024, paraqitet si vijon:

Të dhënat e volumit të punës në hetim sipas prokurorive për vitin 2024 paraqiten në grafikun më poshtë:

Në grafikun më poshtë paraqitet përqindja e procedimeve të përfunduara në procedimet në ndjekje (përfshihen procedimet e mbartura, regjistruara dhe rifilluara), në çdo prokurori për vitin 2024.

Raporti më sipër evidenton se 4 prokurori kanë tregues nën 50 % të çështjeve të përfunduara brenda vitit 2024. Në  diskutimet që do të zhvillohen në takimin për analizën vjetore në këto rrethe, do të evidentohen edhe rrethanat që kanë ndikuar në këtë tregues  të performacës së prokurorisë.

Konkretisht vërehet se Prokuroria Sarandë ka performancën më të ulët pasi janë përfunduar vetëm 35 % e procedimeve në ndjekje, dhe vijon me rend rritës në Prokurorinë Vlorë 42 %, Prokurorinë Korçë 48 % dhe Prokurorinë Berat 49 %. Tregues me performancë më të lartë vërehen në prokuroritë Shkodër, Dibër e Kukës, që kanë përfunduar mbi 68 % të procedimeve në ndjekje ndërkohë që në prokuroritë e tjera ky raport varion nga 50 % deri 56 %.

Ngarkesa e prokurorëve

Të dhënat për mesataren e çështjeve të përfunduara për çdo prokuror sipas numrit faktik të prokurorëve përgjatë vitit 2024, sipas prokurorive janë në paraqitjen grafike, si më poshtë:

Ngarkesa mesatare për çështjet e përfunduara sipas numrit faktik të prokurorëve në vitin 2024 rezulton se është më e lartë me 156 çështje të përfunduara, në Prokurorinë Tiranë dhe më e ulët me 100 çështje të përfunduara, në Prokurorinë Vlorë.

Raporti i numrit mesatar të procedimeve të regjistruara sipas numrit faktik të prokurorëve, për çdo prokurori të shkallës së parë paraqitet në vijim:

Mesatarja e çështjeve të regjistruara gjatë vitit 2024 në raport me numrin faktik të prokurorëve në prokuroritë e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm në rang vendi, rezulton të jetë 135 procedime penale për çdo prokuror, një nga treguesit që nevojitet të mbahet në konsideratë për shpërndarjen e balancuar të numrit të prokurorëve në rang vendi. Nga të dhënat rezulton se prokuroritë Sarandë, Shkodër e Tiranë kanë mesataren më të lartë dhe mbi këtë mesatare në rang vendi.

Raporti i numrit mesatar të volumit të punës në hetim (mosfilluar, regjistruar, mbartur dhe rifilluar), sipas numrit faktik të prokurorëve dhe sipas prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë paraqitet në vijim:

Raporti i numrit mesatar të procedimeve në ndjekje sipas numrit faktik të prokurorëve, për prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë paraqitet në vijim:

Në analizë të ngarkesës mesatare faktike, bazuar në procedimet në ndjekje (regjistruar, mbartur dhe rifilluar), situata rezulton më e rënduar në prokuroritë Tiranë, Sarandë, Fier e Elbasan me një mesatare të ngarkesës nga 309 në 271 procedime për çdo prokuror, ndërsa ngarkesa mesatare faktike më e ulët është në prokuroritë Kukës, Dibër, Gjirokastër, ku varion nga 158 në 202 procedime.

Veprimtaria e Prokurorisë së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm

Ngarkesa e Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ku përfshihen “çështje themeli dhe masa sigurimi”, për vitin 2024 paraqitet në grafikun më poshtë:

Ngarkesa mesatare për prokurorë faktikë në vitin 2024, rezulton të jetë 391 çështje.

Lidhur me treguesit e performancës së Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, që evidenton numrin e kërkesave para gjykatës dhe çështjeve që prokurorët e apelit kanë përfunduar në gjykatën e apelit për vitin 2024 paraqitet si vijon:

– rezultojnë 3804 kërkesa për çështje themeli dhe masa sigurimi, përfshirë heqje dorë nga ankimi, – ndërkohë që janë përfunduar 4297 çështje themeli dhe masa sigurimi. Raporti në përqindje i çështjeve të përfunduara me çështjet e regjistruara për vitin 2024 është 112,96 %.

Ky raport evidenton dhe efikasitetin e punës së apelit brenda vitit 2024, ku pasqyrohet gatishmëria dhe mundësia e kësaj prokurorie për të përfunduar brenda vitit çështjet e regjistruara.

Veç sa më sipër, referuar disa treguesve të tjerë të performancës së prokurorisë së apelit, gjatë vitit 2024, evidentohet se prokurorët e apelit:

– kanë hequr dorë në 45,02 % të ankimeve të ushtruara nga prokurorët të shkallës së parë për çështje themeli dhe në 31,46 % të rasteve është kërkuar heqja dorë nga caktimi i masës së sigurimit;

– kanë kërkuar në 6,57 % të kërkesave lehtësim të pozitës së të pandehurit (vetëm në 6,81 % të rasteve gjykata ka vendosur lënie në fuqi të vendimit);

– kanë kërkuar në 15,16 % të kërkesave prishjen e vendimit dhe vendosjen e pushimit ose pafajësi (në të gjitha rastet gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit);

– kanë kërkuar në 2,24 % të kërkesave prishjen e vendimit dhe kthimi i akteve (në të gjitha rastet gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit);

– gjykata ka mbështetur kërkesën e prokurorit të apelit për lënie në fuqi të vendimit të shkallës së parë në 64,16 % të rasteve dhe kërkesën e prokurorit për rëndimin e pozitës së të pandehurit në 51,18 % të rasteve.

– lidhur me masat e sigurimit gjykata ka mbështetur kërkesën e prokurorit për lënien në fuqi të masave të sigurimit në 81,68 % të rasteve.

Veprimtaria e Prokurorisë së Përgjithshme

Në përmbushje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, veprimtaria e Prokurorisë së Përgjithshme, përgjatë vitit 2024, ka vijuar në realizimin e misionit kushtetues e procedural të përfaqësimit të çështjeve në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, objektivave prioritare, zbatimin dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me prioritetet e shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit, ushtrimit të funksioneve të caktuara me ligj në kuadër të  përfaqësimit të prokurorisë në ndihmën e ndërsjellë në çështje penale të juridiksionit të përgjithshëm, dekriminalizimit, përgjimeve procedurale, si dhe të angazhimeve në kuadër strategjive ndërinstitucionale.

Përveç sa u trajtua më sipër në këtë raport, lidhur me aktivitete e veprimtari të tjera të strukturave të Prokurorisë së Përgjitshme përmendim:

Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë përfaqësuar organin e akuzës pranë Gjykatës së Lartë në 38 çështje, prej të cilave 18 gjykime themeli (nga 30 gjykime themeli në vitin 2023), 4 përfaqësime në gjykime për të njësuar/ndryshuar praktikën gjyqësore dhe 16 mendime për çështje të shqyrtuara në dhomë këshillimi, si dhe në cilësinë e subjektit të interesuar pranë Gjykatës Kushtetuese për 9  çështje (nga 22 çështje në vitin 2023).

Ndërkohë, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale janë marrë 64 vendime për zgjidhje të mosmarrëveshjeve për kompetencën mes prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme gjatë vitit 2024, ka trajtuar:

  • 132 praktika ekstradimi nga jashtë drejt Shqipërisë, ndër të cilat janë përfunduar 47;
  • 137 praktika ekstradimi nga Shqipëria për jashtë, ndër të cilat janë përfunduar 71;
  • 599 letërporosi nga jashtë drejt Shqipërisë, ndër të cilat janë përfunduar 219 ose 36,5 %;
  • 539 letërporosi nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, ndër të cilat janë përfunduar 125 ose 23,2%;
  • 209 praktika shpallje në kërkim ndërkombëtar dhe 76 praktika heqje nga kërkimi ndërkombëtar;
  • 285 urdhër arreste ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e huaja për shtetasit shqiptarë të cilët nuk mund të ekstradohen për shkak të shtetësisë shqiptare, nga të cilat 127 të përfunduara;
  • 43 praktika transferimi i të dënuarve nga jashtë;
  • 52 hetime pasurore.

Në Sektorin e Dekriminalizimit në Drejtorinë e Koordinimit Institucional, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, për vitin 2024 janë regjistruar 72 kërkesa për verifikim të plotë të të dhënave të formularëve të vetëdeklarimit të 89 subjekeve të ligjit. Nga Sektori i Dekriminalizimit janë pranuar 64 kërkesa për 64 subjekte të ligjit.  Në total për 77 subjekte vetëdeklarues (të regjistruar në periudhat 2017-2024) është përfunduar verifikimi dhe janë përcjellë rezultatet e verifikimit, ndërkohë që 55 raste në total vijojnë të jenë në proces verifikimi brenda afatit ligjor të kryerjes së verifikimit, të përcaktuar në ligjin nr. 138/2015 dhe vendimin nr. 17/2016 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë vitit 2024 është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake si mjet për sigurimin e provës në 405 procedime penale. Është realizuar përgjimi për 2361 pajisje fundore në përdorim të 2159 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi. Në total janë ekzekutuar 933 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata dhe 538 urdhra/autorizime të prokurorit.

Në Prokurorinë e Përgjithshme në vitin 2024 janë trajtuar 414 ankesa, të cilat janë administruar e analizuar në përputhje me ligjin dhe specifikat e situatës konkrete, përfshirë edhe ndërmarrjen e iniciativave për nxjerrjen e qarkoreve udhëzuese.

Monitorimi, gjendja, problematikat dhe mbështetja që kërkohet

 Në kuadrin e mbikëqyrjes së zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme dhe kujdesit për ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore të prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm u ka kërkuar periodikisht informacione drejtuesve të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm për masat e marra në zbatim të kompetencave ligjore të tyre, nëse kanë nxjerrë udhëzime të përgjithshme për të lehtësuar zbatimin e udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, për kërkimin e informacionit për ecurinë e procedimeve dhe/ose për nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme për prokurorët lidhur me çështje konkrete, apo nxjerrjen e urdhrave për policinë gjyqësore lidhur me ushtrimin e funksioneve të tyre. Ndërkohë, në mënyrë të vazhdueshme janë zhvilluar analiza bazuar në informacionin statistikor që merret periodikisht nga prokuroritë dhe administrohet nga Prokuroria e Përgjithshme.

Për sa më sipër, vërehet se drejtuesit kanë marrë masa për njohjen me udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm, organizimin e mbledhjeve me qëllim diskutimin e tyre, nxjerrjen e udhëzimeve dhe urdhrave me qëllim lehtësimin e zbatimit të tyre ose orientimin për zbatimin e drejtpërdrejtë nga prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore.

Ndërkaq nga ana tjetër, në veprimtarinë e drejtuesve konstatohet nxjerrja e një numri relativisht të ulët udhëzimesh jo të detyrueshme për çështje konkrete dhe kërkesash për informacion për ecurinë e çështjeve dhe veprimtarinë e punës së seksioneve.

Po kështu, treguesit lidhur me rolin aktiv të prokurorit sa i përket rritjes së hetimeve kryesisht, hetimeve paralele financiare, hetimeve proaktive me rezultate efektive hetimore, tërheqin vemendjen për nevojën e forcimit dhe shtimit të kapaciteteve, rritjen e bashkëpunimit efektiv me organet e tjera ligjzbatuese dhe angazhimin më të lartë nga ana e prokurorëve. Plotësimi i organikave ne prokurorë të rinj në 2025 besojmë se do kontribuojë pozitivisht në këtë drejtim.

Edhe gjatë vitit 2024, megjithë përpjekjet e bëra prej tyre, konstatohet e njëjta problematikë në koordinimin efikas me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në kuadër të kërkesave për informacion dhe mbështetjes me të dhëna të sakta e të plota.

Një tjetër problem mbetet mbikëqyrja e ngarkesës, performancës dhe disiplinës në punë  e oficerëve të policisë gjyqësore, ku duhet tërhequr vëmendja e drejtuesve dhe prokurorëve për të ushtruar aktivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme autoritetin drejtues dhe kontrollues mbi policinë gjyqësore në përputhje me kompetencat e dhëna nga ligji.

Nisur edhe nga ankesat e qytetarëve apo raporte të institucioneve/organizatave monitoruese të të drejtave të njeriut, rezulton se duhet përmirësuar cilësia e komunikimit me qytetarët në drejtim të dhënies së informacionit të kërkuar prej tyre në kuadër të hetimeve penale.

Në një pjesë të prokurorive ka nevojë për një aplikim më efikas të Udhëzimit të Përgjithshëm nr. 15/2020 dhe Memorandumit të Bashkëpunimit me Policinë e Shtetit mbi trajtimin e njoftimit të viktimës akuzuese sipas nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të një vepre penale, që ndikon në uljen e ngarkesës së punës. Janë 5910 materiale që u arkivuan gjatë vitit që kaloi mbështetur në këtë udhëzim, që përbën pothuaj 10 % të totalit të materialeve të trajtuara nga prokurorët në vitin 2024.

Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara. Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit. Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat.

Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa administrative në këtë drejtim, duke kthyer në hapësira arkivore një pjesë të godinave të prokurorive që pushuan së vijuari aktivitetin për shkak të hartës së re gjyqësore, por edhe përmes seleksionimit të materialeve me vlerë arkivore në përputhje me kuadrin ligjor përkatës, duke punuar ngushtësisht me prokuroritë e rretheve gjyqësore në këtë drejtim. Vlerësoj se ka nevojë për ndërhyrje ligjore në lidhje me përcaktimin e saktë të periudhës së ruajtjes së dosjeve penale, sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe për marrjen e masave ndërinstitucionale adeguate për  sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre.

Prokuroria e Përgjithshme e konsideron me rëndësi të veçantë për rritjen e efektivitetit së punës, ngritjen dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve.

Sistemi i ri i Menaxhimit të Çështjeve në prokurori, po mbështetet nga Bashkimi Evropian. Për këtë qëllim, Prokurori i Përgjithshëm me urdhrin nr. 04 datë 04.01.2024 ngriti grupin e punës me ekspertë prokurorë nga të gjithë nivelet e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, me qëllim për sigurimin e mbështetjes së nevojshme në krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjeve. Në muajin tetor 2024 është nënshkruar marrëveshja midis BE-së dhe UNOPS-it për implementimin e sistemit CAMS dhe komponentëve të tjerë që lidhen me këtë sistem. Gjatë vitit 2024 janë zhvilluar disa takime me përfaqësues të UNOPS dhe grupit të punës. Në takimin e zhvilluar në datë 05.11.2024 u prezantuan fazat dhe afatet e projektit, duke nisur kështu formalizimi i bashkëpunimit dhe punës për ndërtimin dhe implementimin e këtij sistemi të rëndësishëm. Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar angazhim të plotë për të adresuar të gjitha nevojat për një sistem efikas dhe mbështetje në plotësimin e kërkesave të tjera të nevojshme për implementimin e projektit.

Sa i përket bashkëpunimit me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, edhe gjatë vitit 2024 është vijuar me hartimin e udhërrëfyesit për ngritjen e sistemeve elektronike të sistemit të drejtësisë. Grupi ndërinstitucional i punës ka zhvilluar takime periodike mujore për këtë qëllim dhe pritet finalizimi dhe miratimi i tij brenda vitit 2025.

Gjejmë me vend të përmendim këtu se nga strukturat e Prokurorisë së Përgjithshme u punua në drejtim të zhvillimit teknologjik të sistemit e-PRESTO duke synuar zgjidhjen në mënyrë efektive të problematikave teknike të mëparshme për të garantuar maksimalisht saktësinë dhe plotësinë e statistikave të gjeneruara nga sistemi, si dhe zhvillimin e rubrikave/referencave të tij në përputhje me standardet ndërkombëtare të MONEYVAL.  Sistemi u përfundua në përputhje me kërkesat funksionale dhe mundëson gjenerimin e të dhënave, hedhja e të cilave do të ndiqet me kujdes e prioritet të veçantë për shkak të rëndësisë që ka për procesin e Raundit të VI-të të vlerësimit të Shqipërisë që nis në vitin 2025.

Policia gjyqësore

Prokuroria e Përgjithshme e konsideron aspekt thelbësor për rritjen e përgjegjshmërisë dhe efektivitetit të këtij funksioni, ushtrimin e kontrollit efektiv ndaj veprimtarisë së oficerëve të policisë gjyqësore.

Gjatë vitit 2024, Sektori i Monitorimit në Prokurorinë e Përgjithshme, në zbatim të udhëzimit nr. 10/2021 “Për ushtrimin e funksionit të monitorimit në sistemin e prokurorisë dhe bashkëpunimin me institucionet kushtetuese dhe ligjore”, i ndryshuar, ka vijuar monitorimin dhe ka kryer inspektim tematik për saktësinë në hedhjen e të dhënave në sistemin SVHOPGJP të veprimtarisë së oficerëve të seksionit të policisë gjyqësore në Prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Lezhë dhe Durrës. Në përfundim të këtij procesi, Prokurori i Përgjithshëm ka përcjellë qarkoren nr. 505/2 prot., datë 26.07.2024, përmes së cilës kërkohet rol aktiv i drejtuesit të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në mbikëqyrjen në vazhdimësi, ndarjen e barabartë të ngarkesës së punës të oficerëve bazuar në këtë sistem, mbikëqyrjen periodike të shpërndarjes së referimeve/procedimeve pasurore tek oficerët, etj.

Për vitin 2024, i është kërkuar Komisionit të Policisë Gjyqësore fillimi i procedimit ndaj dy oficerëve të policisë gjyqësore.

Marrëdhëniet me publikun dhe median

Prokuroria e Përgjithshme i ka kushtuar rëndësi lehtësimit të mekanizmave të raportimit të krimit përmes informimit, ndërgjegjësimit dhe komunikimit efektiv me publikun. Për këtë qëllim, në faqen zyrtare të internetit të Prokurorisë së Përgjithshme janë publikuar materiale informuese, broshura, modele aktesh, etj., drejtuar subjekteve të posaçëm si të mitur e viktima të krimit dhe publikut të gjerë.

Një aspekt kyç në rritjen e transparencës dhe besimit të publikut ka qenë pasqyrimi i gjerë dhe cilësor në media i punës së prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Është rritur ndjeshëm sasia dhe intensiteti i informacionit të komunikuar me median, falë angazhimit më të madh të prokurorive të shkallës së parë. Prokuroria e Përgjithshme, me një qasje proaktive dhe dinamike, ka koordinuar dhe mbështetur ndërveprimin e prokurorive me median, duke rritur vizibilitetin e punës së tyre. Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe përditësimit të faqes zyrtare dhe profilit në rrjetin X, ku janë publikuar njoftime dhe të dhëna analitike nga raportet mbi kriminalitetin, me synim përmirësimin e cilësisë së informacionit të ofruar publikut. Për vitin 2024 janë 153 njoftime për median nga gjithë prokuroritë, ndërsa rezultojnë 58.000 përdorues të rregullt të platformës X dhe 677.000 klikime në faqen zyrtare.

Siç edhe u parashtrua më sipër, jemi angazhuar në drejtim të rritjes së ndërshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve, duke caktuar pikë kontakti për raportimin dhe publikimin e çështjeve të sulmeve ndaj gazetarëve. Në bashkëpunim me prokuroritë e të gjithë niveleve është krijuar “Track record”/historiku i këtyre rasteve, i cili do të përditësohet në vijimësi. Po kështu kemi marrë pjesë në tryeza/aktivitete të përbashkëta me gazetarë, për të krijuar mekanizma dialogu që i shërbejnë njohjes së përgjegjësive dhe kufizimeve të ndërsjella dhe diskutimit të problematikave që mund të adresohen për përmirësimin e veprimtarisë.

BASHKËPUNIMI DHE MBËSHTETJA
Bashkëpunimi ndërinstitucional, përfshirja në proceset konsultuese të akteve ligjore e nënligjore dhe mbështetja nga projektet e misionet ndërkombëtare, ka qenë një aspekt i rëndësishëm në zhvillimin e objektivave dhe prioriteteve institucionale.

Gjatë vitit 2024 Prokuroria e Përgjithshme ka kontribuar me dhënien e mendimeve për reformimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor të dërguar kryesisht nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme.

Një kontribut të rëndësishëm edhe në vitin 2024 ka patur angazhimi me organizata të shoqërisë civile si “Vatra”, “Terre des Hommes”, “Qendra për Nisma Ligjore Qytetare”, etj., të cilat në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet aktiviteteve ndërgjegjësuese, monitoruese e trajnuese, i shërbejnë përmirësimit të sistemit të ndjekjes penale dhe sistemit të drejtësisë në tërësi.

Po kështu, me mbështetjen e projekteve të financuara nga BE-së dhe ambasada të vendeve evropiane, organizata si OSBE, UNICEF e partnerë të tjerë ndërkombëtarë, edhe gjatë vitit 2024 janë realizuar një sërë aktivitetesh trajnuese dhe bashkëpunime të tjera të rëndësishme.

Bashkëpunimi me Këshillin e Lartë të Prokurorisë

Përgjatë vitit 2024, bashkërendimi dhe koordinimi në marrëdhëniet me Këshillin e Lartë të Prokurorisë është fokusuar në shkëmbimin e informacionit lidhur me volumin e punës në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për efekt të menaxhimit të ngarkesës, konsultimin për metodologjinë e vlerësimit të prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme e cila u miratua në dhjetor 2024, bashkëpunimin në kuadër të përgatitjes së vlerësimeve të punës së drejtuesve të prokurorive të shkallës së parë dhe të apelit, organizimin e disa takimeve të përbashkëta për tema me rëndësi për mirëfunksionimin e sistemit, si dhe në një sërë komunikimesh të tjera institucionale në funksion të vijimit normal të punës megjithë vështirësitë e krijuara për shkak të vakancave të shumta.

Çmojmë të shprehim vlerësimin tonë për përmirësimin konstant të ndërveprimit mes dy institucioneve, që është reflektuar edhe në mbarëvajtjen në tërësi të funksionimit të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, të cilat kanë arritur jo vetëm të ruajnë funksionalitetin e t’i bëjnë ballë situatës së jashtëzakonshme të krijuar për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar, por njëkohësisht edhe të arrijnë rezultate të dukshme në drejtim të realizimit të objektivave në luftën ndaj kriminalitetit.

Bashkëpunimi me Prokurorinë e Posaçme

Bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme përgjatë vitit 2024 ka vijuar në zbatim të ligjit dhe Aktit të Koordinimit Ndërinstitucional, (datë 15.12.2020), ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të veprimtarisë procedurale në nivel vendor. Gjatë vitit që kaloi drejt kësaj prokurorie u transferuan për kompetencë 61 referime/procedime penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Duhet theksuar se në tërësi niveli i bashkëpunimit ndërinstitucional me Prokurorinë e Posaçme ka qenë dhe vijon të mbetet shumë i mirë në të gjitha nivelet.

Bashkëpunimi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë

Bazuar në kuadrin ligjor dhe në përputhje me angazhimet e ndërmarra në marrëveshjen e bashkëpunimit nr. 248 prot., datë 05.02.2021 “Për kryerjen e inspektimeve institucionale e tematike dhe për shkelje individuale të magjistratëve/prokurorëve në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”, Prokurori i Përgjithshëm i ka ripropozuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy inspektime tematike për t’u zhvilluar gjatë vitit 2024, me objekt: i) respektimi i të drejtave të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, viktimave të krimeve seksuale dhe dhunës në familje; ii) zbatimi i masës së shmangies nga ndjekja penale, zbatimi i masave të sigurimit dhe dënimit për të mitur, çështje për të cilat Prokurori i Përgjithshëm ka miratuar disa akte nënligjore (udhëzime të përgjithshme: udhëzimi nr. 5/2018; udhëzimi nr. 17/2020; udhëzimi nr. 8/2021; dhe urdhra administrativë: urdhri nr. 124/2020; urdhri nr. 87/2021).

Sa i përket shkeljeve individuale të konstatuara, një ankesë ndaj një prokurori, pas shqyrtimit në Prokurorinë e Përgjithshme, i është përcjellë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Objektivat 2025

Me synim përmbushjen e misionit kushtetues dhe ligjor të prokurorisë, rritjen e mëtejshme të efektivitetit të ndjekjes penale, ngritjes dhe përfaqësimit të akuzës në gjyq, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit në procesin penal, prioritetet tona institucionale janë:

Ndjekja me efikasitet dhe efiçencë e rekomandimeve në luftën ndaj kriminalitetit duke u fokusuar në mirëfunksionimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të prokurorisë, si dhe në koordinimin dhe bashkërendimin institucional me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit

Vijimi i punës për forcimin e kapaciteteve institucionale për rritjen e eficiencës në veprimtarinë administrative të prokurorisë dhe i kapaciteteve profesionale për rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së prokurorëve dhe policisë gjyqësore në ushtrimin e funksioneve kushtetuese e ligjore.

Të vijojë rritja më tej e veprimtarisë mbikëqyrëse për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme të detyrueshme dhe e bashkëpunimit me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë në drejtim të koordinimit të aktiviteteve, shkëmbimit të informacionit, identifikimit të shkeljeve disiplinore apo etike dhe problemeve të performancës së zyrave të prokurorive.

Të vijojë rritja më tej e efiçencës së bashkërendimit ndërinstitucional dhe koordinimit me Komisionin e Policisë Gjyqësore dhe me agjencitë ligjzbatuese të përfshira, për forcimin e kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore në strukturat përkatëse të shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore, me synim rritjen më tej të cilësisë dhe efektivitetit në kryerjen e hetimeve në drejtimet prioritare të luftës kundër kriminalitetit në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit dhe ligjit nr. 10192/2009, i ndryshuar.

Të vijojë plotësimi/përditësimi i kuadrit nënligjor me qëllim përmirësimin e hetimit dhe ndjekjes penale dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut në procesin penal.

Të vijojë sigurimin e bashkëpunimit për krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjes që mundëson dixhitalizimin e plotë të proceseve të punës, gjenerimin e statistikave të plota, të sakta dhe të besueshme në kohë reale, shpërndarjen e çështjeve me short elektronik në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, si dhe çdo kërkesë të nevojshme për një sistem me standarde bashkëkohore.

Përdorimi me efektivitet i fondeve buxhetore për përmirësimin e infrastrukturës në prokurori me qëllim sigurimin e aksesit të shtetasve në prokurori, nëpërmjet garantimit të standardeve për intervistimin e miturve dhe viktimave të krimit, si dhe aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara.

Rritja e bashkëpunimit dhe transparencës në marrëdhëniet me publikun dhe median, në funksion të informimit të publikut, forcimit të besimit te prokuroria dhe nxitjes së raportimit të krimit.

Vijimin e angazhimit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian me përmbushjen e detyrimeve institucionale në luftën kundër kriminalitetit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Tek kjo shifër e materialeve të trajtuara përfshihen: procedimet e mbartura; procedimet e reja të regjistruara gjatë vitit 2024 për veprat penale të parashikuara në Kodin Penal; procedimet e rifilluara gjatë vitit 2024; si dhe vendimet e mosfillimit të marra gjatë vitit 2024 pa përfshirë procedimet e regjistruara sipas kodit penal ushtarak.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat