Në rrjete sociale po bëhen thirrje për të protestuar para Ministrisë së Brendshme me moton “Drejtësi për Azbiun” dhe “E vërteta do të na bëjë më të lirë”.
Protesta është thirrur me 20 janar, ora 17.00.
Pas këtyre thirrjeve ka reaguar Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, sipas të cilit është bërë një zakon shumë i ulët, që të deformohen dhe manipulohen ngjarje të caktuara dhe të goditet Policia e Shtetit, për qëllime tërësisht politike apo biznes mediatik.
Hoxha ka radhitur disa ngjarje, me të cilat thote se po dezinfoirmohet.
“Rasti i ngjarjes së Pogradecit, ku u fry një dallgë e madhe dizinformimi me një bandë inekzistente gjobëvënësish, apo rasti i vrasjes së 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij, ku u sajuan thika e autorë të tjerë të paqenë, ishin dy raste emblematike të rritjes së nivelit të paturpësisë politike dhe mediatike.
Tani ka dalë një tjetër rast, me të cilin po riluhet loja e “të vegjëlve”, që bëjnë thirrje për protestë (kështu i është vënë emri ca partizave, që të reja mund të kenë shumë gjëra, po nuk kanë as mendësinë dhe as metodat).
Protesta sa të duan, kur të duan, po nuk rezulton që të ketë ndonjë punonjës policie, që ka tentuar të vrasë veten nga ndonjë presion për të mos zbatuar ligjin ndaj dikujt.
Rasti në fjalë është i qartë e i dokumentuar dhe e gjitha është një furtunë në gotë.
Por, meqë jo çdo e keqe vjen për keq, njerëzit mbase e kuptojnë edhe më mirë me këtë rast, që këto lëvizjet me emra të mëdhenj të këtyre “të vegjëlve” janë tamam si ajo loja “fluturon, fluturon” dhe kush ta hajë, ta hajë…
Këtyre organizatorëve, që kanë nxjerrë këto tabelat në rrjete sociale, u sugjeroj ta zëvendësojnë sloganin dhe ta bëjnë “Gënjeshtra, shpresa jonë për deputetë” dhe “Marshojmë, Gënjejmë”.
Plus, duke saktësuar respektivisht subjektet e tyre politike “Gënjejmë Bashkë” dhe “Gënjeshtra Bëhet””, shkruan Hoxha në rrjete sociale.
Kujtojmë se më datë 15 janar 2025, në rrugën ‘Kongresi i Manastirit, efektivi i Rrugores dyshohet se është hedhur nga një pallat 11 katësh në këtë zonë.
Azbi Spahiu ka rënë mbi kabllot e internetit dhe më pas ka përfunduar në tokë.
Efektivi 57-vjeçar është dërguar në Spitalin e Traumës dhe burime bëjnë me dije se ka pësuar dëmtime në shtyllën kurrizore. Efektivi po mbahet nën monitorimin e bluzave të bardha.

Azbi Spahiu është polici i qarkullimit rrugor, i cili arrestoi disa ditë më parë djalin e biznesmenit Samir Mane, Martin Mane. 27 vjeçari ka qenë duke drejtuar makinën në afërsi të Parlamentit, kur ka humbur drejtimin e automjetit dhe ka dalë nga rruga.
Për pasojë ai ka përplasur automjete të tjera në anë të rrugës. Për fat nuk ka patur të lënduar, por i riu është vënë në pranga për shkak se ka qenë nën efektin e alkoolit.