Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur vazhdimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Vendimi, i datës 22.11.2025, u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për verifikimin e kushteve dhe kritereve të masave të caktuara më herët me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025.
Sipas vendimit:
Belinda Balluku do të vazhdojë të jetë e pezulluar nga ushtrimi i detyrës si Zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe e ndaluar të dalë jashtë shtetit.
Gentian Gjyli dhe Erald Elezi do të qëndrojnë nën masën e arrestit në shtëpi, sipas neneve 233, 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Adresa e zbatimit të arrestit në shtëpi për Erald Elezin është saktësuar dhe ai duhet të qëndrojë në banesën e tij në qytetin përkatës.
Gjykata urdhëron Prokurorinë e Posaçme dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.




